Ndikimi në rast të sanksioneve të BE-së

Aktuale

Ndikimi në rast të sanksioneve të BE-së

Më: 29 qershor 2023 Në ora: 19:15
Albin Kurti

Njohësit eçështjeve politike e ekonomike i kanë numëruar pasojat që do të ketë Kosova nga masat që janë paralajmëruar nga Bashkimi Evropian kundër Kosovës. Ata vlerësojnë se vendi nuk ka qenë ndonjëherë në një situate të tillë që nga paslufta.

Pas paralajmërimit të masave që Bashkimi Evropian tha se do t’i merr ndaj Kosovës, për shkak të situatës në veri, njohësit e çështjeve politike e ekonomike kanë folur për pasojat që do t’i shkaktohen vendit.

Njohësi i çështjeve politike, Jeton Kelmendi, tha se Kosova është në një gjendje mjaft të keqe politike e në të cilën nuk ka qenë ndonjëherë që nga paslufta.

Sipas tij prishja e marrëdhënieve me aleatët do t’i kushtojë shumë Kosovës.

Ndërkaq, për paralajmërimin e pezullimit të fondeve për Kosovën kanë reaguar edhe njohësit e ekonomisë.

Sipas Lulzim Beqirit, situata është mjaft serioze dhe se kjo do të ndikojë në jetesën e qytetarëve të Kosovës.

Kurse, Agjencia Kosovare e Bizneseve ka kërkuar nga Qeveria që t’i plotësojë kërkesat e ndërkombëtarëve.

“Të fillojë plotësimi i kërkesave të faktorit ndërkombëtar në krye me SHBA-të, para se ata të fillojnë me ndëshkime izoluese kundër Kosovës. Lirimi i tre policëve ishte hapi i parë i Serbisë, hapin e dytë të merr Qeveria drejt normalizimit, integrimit dhe investimeve të reja të cilat për çdo ditë po i zvogëlohen Kosovës”, thuhet në njoftimin e Agjencisë Kosovare e Bizneseve.

Masat e paralajmëruara përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalëshe si dhe mosprocedimin në këtë moment të propozimit të dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat