Ambasadori amerikan tregon gjërat më të jashtëzakonshme që ndodhën këtë javë: Kjo është rruga e duhur për Kosovën

Aktuale

Ambasadori amerikan tregon gjërat më të jashtëzakonshme që ndodhën këtë javë: Kjo është rruga e duhur për Kosovën

Më: 29 qershor 2023 Në ora: 20:18 Përditësuar në ora: 23:04 më 29.06.2023
Jefferey Hovenier

Ambasadori amerikan tregon pse u përjashtua Kosova nga “Defender ’23”

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka adresuar raportin mes ShBA-së dhe Kosovës në rrafshin ushtarak.

I pyetur se a ka ndryshuar bashkëpunimi ushtarak midis dyja vendeve, Hovenier tha se ShBA-ja nuk do të dëshironte të ishte në këtë pikë, por kjo erdhi si rezultat i përjashtimit të FSK-së nga “Defender Europe ’23”.

“Manifestimi më i saktë se ka ndryshuar deri diku është se FSK-ja, që ka qenë partnere e mirë, papritmas u përjashtua nga ushtrimi ‘Defender Europe 23’ si rezultat i vendimit të drejtpërdrejtë të komandantit ushtarak më i lartë amerikan për tërë Evropën. Kurrë më nuk duam që ta shohim këtë gjë sërish”, tha Hovenier në Rubikon.

“Do të dëshironim të ishim në pikë tjetër, por kjo do të thotë se Qeveria e Kosovës, kjo qeveri e Kosovës, duhet të punojë me neve për të qenë më përgjegjëse ndaj kërkesave tona se si duam që ta zgjidhim situatën në veri”, theksoi ai.

Sipas Hovenierit, arsyeja e reagimit të fuqishëm nga autoritetet ushtarake ishte pikërisht situata në veri të Kosovës, gjë që rrit nivelin e rrezikut për ushtarët amerikanë dhe atyre të NATO-s.

“Mendoj se arsyeja përse autoritetet ushtarake reaguan aq fuqishëm dhe shprehën gjithë atë shqetësim ishte se këto zgjedhje, situata në veri momentalisht, rrit nivelin e rrezikut për ushtarët amerikanë dhe të NATO-s. Njerëzit u lënduan dhe unë e di se ata u sulmuan nga një bandë dhe e di se ajo bandë nuk ishte frymëzuar nga Qeveria e Kosovës, por ishin aty për shkak të një zgjedhjeje nga Qeveria e Kosovës që rezultoi në demonstrata. Duam që e gjithë kjo të marrë fund. Duam t’i kthehemi gjendjes së mëparshme dhe duam që të shmangim rrethanat ku ka rrezik të lartë dhe tension për ushtarët amerikanë dhe të NATO-s”, tha ambasadori amerikan në Kosovë.

Tutje, Hovenieri tha se miqtë e Kosovës ndaluan spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës dhe askush nuk duhet ta vë në dyshim përkushtimin e tyre ndaj tyre, porse niveli aktual i rrezikut është i panevojshëm.

“Ne mendojmë se miqtë tanë, sepse jemi miq, miqtë tanë në Kosovë do të duhej ta kuptojnë këtë. Kemi marrë shumë rreziqe gjatë viteve në mbështetje të popullit të Kosovës dhe jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Për hir të Zotit, ndaluam një fushatë brutale të spastrimit etnik kundër popullit të Kosovës dhe mendoj se askush nuk duhet të vë në dyshim përkushtimin tonë ndaj kësaj, por gjithashtu nuk duam një nivel të rrezik që e mendojmë të panevojshëm, veçanërisht kur kemi mënyrë për të ecur përpara që duam ta bëjmë bashkë”, potencoi Jeffrey Hovenier në Rubikon.

Hovenier: Do të ketë edhe disa pasoja tjera ndaj Kosovës nëse vazhdohet me këtë rrugë

Ambasadori i ShBA-së në Kosovës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ndaj Kosovës do të ketë pasoja.

Kjo pasi nuk është duke shkuar në një vijë me kërkesat e shteteve aleate për uljen e tensioneve në veri.

Në Rubikon të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se të gjitha këto shtete kanë treguar mbështetje ndaj Kosovës për dekada.

“Siç e thashë, nuk dëshiroj të hyj në specifika, por është e qartë se do të ketë disa pasoja tjera nëse vazhdojmë në këtë rrugë ku Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjet kërkesave të të gjithë miqve të saj nga të gjitha vendet që kanë dhe kanë treguar përgjatë më shumë se një apo dy dekadave përkushtimin tonë për të parë Kosovën duke e marrë vendin e saj në Evropë dhe brenda strukturave evropiane dhe euroatlantike”, tha Hovenier.

Hovenier: Rruga përpara është zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se rruga përpara për Kosovën është zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai ka theksuar se dëshiron ta shoh Kosovën duke lëvizur shumë afër vizionit për integrimin e plotë në BE dhe NATO.

“Përsëri, nuk jam i sigurt se a është me vend që një ambasador i një shteti tjetër t’i vlerësojë sukseset dhe dështimet e një kryeministri. Kjo u takon votuesve që ta bëjnë në një kohë të duhur. Mund të ju them se çfarë dua që suksesi më i madh i Kurtit të jetë, dhe kjo është ta shoh Kosovën duke lëvizur shumë afër vizionit për integrimin e plotë në BE dhe NATO, që të bëhet anëtare e Partneritetit për Paqe, që ta shohë aplikimin për Këshillin e Evropës të ecë përpara, të gjitha këto mund të bëhen. Rruga është zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, kjo është rruga dhe për të arritur atje duhet ta kalojmë krizën aktuale në veri”, ka shtuar ai.

Tutje, ai ka bërë të ditur se nëse ka njerëz që janë të përfshirë në destabilizim të rajonit apo janë të përfshirë në krim të organizuar ndërkombëtar, mund të bëhen subjekt i sanksioneve amerikane.

“Mendoj se nga presidenti Clinton kemi vendosur për disa emra këtu në Ballkan, duke përfshirë Kosovën. Ne kemi autoritet, aktualisht autoriteti i Thesarit për të përfshirë njerëz qoftë individualisht apo kolektivisht, apo organizata që mund të jenë subjekt i sanksioneve dhe janë dy çështje të mëdha: një është nëse jeni të përfshirë në krim të organizuar ndërkombëtar, kjo ishte baza për përfshirjen e zotëri Radojçiqit dhe tjetra është nëse bën gjëra që krijojnë destabilitet në rajon dhe kemi përfshirë shumë emra, përfshirë në Kosovë nën këtë autoritet gjithashtu. Pra nëse njerëzit janë të përfshirë në destabilizim të rajonit apo janë të përfshirë në krim të organizuar ndërkombëtar, ne e kemi të drejtën që Thesari t’i vendosë ata në lista dhe që të jenë subjekt i sanksioneve amerikane”, ka thënë më tëj Hovenier.

Hovenier: Jemi të habitur pse nuk ka përgjigje pozitive ndaj kërkesave tona për veriun

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të  Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se nuk është vetëm ShBA-ja e cila ka kërkesa për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Ai deklaroi se kërkesa të tilla kanë edhe shtetet tjera ndërkombëtare që janë aleate të Kosovës, dhe shtoi se nuk mund t’i kuptojë institucionet kosovare që ende nuk kanë një përgjigje ndaj të duhur në përputhje me kërkesat e shteteve mike.

“Gjithashtu, dëshiroj ta vë në pah se nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara që po e kërkojnë këtë gjë. Vetëm këtë javë kanë ndodhur disa gjëra mjaft të jashtëzakonshme. Prej të hënës, Kryeministri Kurti është takuar me Sekretarin britanik për Punë të Jashtme, ka biseduar me Sekretarin e Shtetit Blinken, ka biseduar me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ka pasur deklarata publike nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, pra në thelb, konfigurimi i institucioneve në të cilat Kosova synon të anëtarësohet dhe që ne do ta mbështesim me gjithë zemër dhe miqtë e Kosovës”.

”Vendet dhe institucionet që kanë luajtur rol në mbështetjen e Kosovës në këtë trajektore, të gjitha po i kërkojnë Kosovës, kësaj qeverie, që të ndërmarrë disa veprime specifike dhe të zbatojë këtë planin trepikësh të BE-së. Jemi të habitur, e kemi të vështirë të kuptojmë se përse nuk ka përgjigje pozitive dhe nuk duket që do të ketë”, ka thënë Hovenier.

“Kjo është fjala që sapo e përdora. Unë jam i habitur, po përpiqem të kuptoj pse. Është rast mjaft unik që një Qeveri e Kosovës të mos i përgjigjet kësaj përbërjeje të aktorëve, që të gjithë i kanë interesat më të mirë të Kosovës në mendje. Po, jam i habitur, i shqetësuar, dua të shmangë një situatë në fund të kësaj letre nga Senati dhe kam sjellë një kopje dhe do ta lexoj një fjali që mendoj se është mjaft e rëndësishme”.

Hovenier: Duam t’i tejkalojmë pikat e nxehta, të vijojmë me punën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit

Ambasadori i ShBA-së në Kosovës, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se duhet të pranohet deklarata e Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, që kishte thënë për situatën në veri, sipas tij, se në momentet e shpërthimit të tensioneve në veri deklaratat e tilla ndodhin dhe se duhet të pranohen.

AI komentoi qëndrimin e Kurtit ndaj deklaratës së Blinken i cili tha se vendimi për të përdorur forcë për të hyrë në ndërtesat komunale në veri është marrë kundër këshillave të SHBA-së dhe BE-së.

“Komenti im është se në atë çast, ndjenjat ishin të nxehta dhe mendoj se është me rëndësi të pranohet kjo. Nuk besoj që aparati i politikës së jashtme amerikane, unë apo të tjerët jemi të keqinformuar ose naivë. Mendoj se kemi kuptim të mirë të motiveve dhe veprimtarisë dhe veprimeve të aktorëve këtu. Por, qëllimi ynë është i qartë: duam të shohim Kosovën duke ecur përpara në rrugëtimin e saj evropian dhe euroatlantik”, ka thënë Hovenier.

Ai ka deklaruar se ShBA-ja dëshiron që ta shohë Kosovën në rrugën evropiane dhe të ecë para në rrugën e saj euroatlantike dhe evropiane.

“Duam të shohim Kosovën duke marrë vendin e saj në familjen në Evropë. Rruga për të bërë këtë ka qenë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është dëmtuar, penguar nga pikat e nxehta – më e fundit është jashtëzakonisht brengosëse për shkak të situatës në veri. Duam t’i tejkalojmë pikat e nxehta; të vijojmë me punën e vështirë për zbatimin e marrëveshjes së mirë të arritur dhe përfunduar në shkurt, me aneksin për zbatim të marrëveshjes të marsit në Ohër”.

“Presim që të dyja palët ta zbatojnë plotësisht. Duam të punojmë bashkërisht për këtë sepse është punë e vështirë për tu kryer. Më duhet të shtoj këtu se për Kosovën kjo do të thotë të kryejë punën e vështirë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe për Serbinë që t’i zbatojë dispozitat për të cilat është pajtuar në marrëveshje. Por, po kalojmë shumë kohë duke u marrë me pikat e nxehta në veri dhe duam t’i tejkalojmë ato. Nuk mendojmë se kjo është pikëpamje naive, mendojmë se është pikëpamje prej burrështetasi”, ka thënë Hovenier.

Hovenier: Letra e tetë senatorëve amerikanë do të duhej të jetë shkak për shqetësim për të gjithë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se duhet të jetë shqetësim letra e tetë senatorëve amerikanë që iu drejtua presidentit amerikan, Joe Biden, për të shprehur shqetësimin e tyre për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Në Rubikon, Hovenier deklaroi se shqetësim kanë edhe për faktin që deri tani Qeveria e Kosovës nuk i ka marrë për bazë kërkesat e ShBA-së për shtensionimin e situatës në veri.

“Letra do të duhej të jetë shkak për shqetësim për të gjithë ne dhe mendoj se i pasqyron jo vetëm pikëpamjet e senatorëve, por edhe të një numri të zyrtarëve amerikanë, përfshirë edhe brenda administratës së Biden-it. Jemi të shqetësuar. Jemi partneri më i ngushtë i Kosovës dhe përkushtimi i popullit amerikan ndaj vetë Kosovës dhe popullit të Kosovës mbetet po aq i qëndrueshëm si gjithmonë”.

“Por, kemi – dhe jo vetëm SHBA-ja – por, i kemi kërkuar qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë disa veprime specifike për të ndihmuar në zbutjen e situatës në veri për të ndihmuar që të ecim përpara për të mirën e Kosovës dhe stabilitetit rajonal. Dhe jemi të shqetësuar që Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur pozitivisht ndaj këtyre kërkesave”.

Ai tha se këto kërkesa i kanë edhe tjera shtete mike të Kosovës, dhe se është i habitur që Kosova akoma nuk ka përgjigje pozitive ndaj kërkesave të aleatëve të saj.

“Gjithashtu, dëshiroj ta vë në pah se nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara që po e kërkojnë këtë gjë. Vetëm këtë javë kanë ndodhur disa gjëra mjaft të jashtëzakonshme.

Prej të hënës, Kryeministri Kurti është takuar me Sekretarin britanik për Punë të Jashtme, ka biseduar me Sekretarin e Shtetit Blinken, ka biseduar me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ka pasur deklarata publike nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, pra në thelb, konfigurimi i institucioneve në të cilat Kosova synon të anëtarësohet dhe që ne do ta mbështesim me gjithë zemër dhe miqtë e Kosovës, vendet dhe institucionet që kanë luajtur rol në mbështetjen e Kosovës në këtë trajektore, të gjitha po i kërkojnë Kosovës, kësaj qeverie, që të ndërmarrë disa veprime specifike dhe të zbatojë këtë planin trepikësh të BE-së. Jemi të habitur, e kemi të vështirë të kuptojmë se përse nuk ka përgjigje pozitive dhe nuk duket që do të ketë”, ka thënë Hovenier.

Hovenier tregon a e kanë ftuar Kurtin për kremtimin e 4 Korrikut

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të  Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka treguar se a ka ndryshuar lista e të fturave në ndejën që organizohet çdo vit për të festuar 4 Korrikun, pavarësinë e ShBA-së.

Në Rubikon, ai ka deklaruar se të ftuar janë edhe pjesëtarë të qeverisë edhe pse ShBA-ja është në një moment jo të mirë me ekzekutivin kosovar.

“Kam ndjenjën se 4 korriku festohet gjithmonë në Kosovë duke pasqyruar partneritetin dhe marrëdhënien e veçantë që Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan e kanë me popullin e Kosovës dhe po shpresojmë në kremtim të mirë të Ditës së Pavarësisë edhe këtu”.

“I kemi ftuar mysafirët e zakonshëm dhe mirëpresim mundësinë për t’i pritur ata. Por, më duhet të them dhe është me rëndësi të vihet në pah se do të kremtojmë së bashku dhe e mirëpresim këtë, si qeveri me qeveri jemi në një çast më të vështirë. Qeveria e SHBA-së dhe qeveria aktuale e Kosovës i kanë disa dallime dhe nuk do të duhej t’i zvogëloj apo t’i injoroj ato, por kjo nuk do të thotë që nuk i kemi të njëjtat objektiva strategjikë dhe nuk do të thotë që nuk mund të bëhemi bashkë për të festuar përvjetorin e 247-të të nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së, gjë që do ta bëjmë me kënaqësi”, ka thënë Hovenier.

Ambasadori amerikan: Jemi të habitur, s’po kuptojmë

Ambasadori amerikan në Prishtinë Jefferey Hovenier, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri më i ngushtë i Kosovës dhe përkushtimi i popullit amerikan ndaj vetë Kosovës dhe popullit të Kosovës mbetet po aq i qëndrueshëm si gjithmonë.

Hovenier thotë se kanë kërkuar nga qeveria e Kosovës që të ndërmarrë disa veprime specifike për të ndihmuar në zbutjen e situatës atje, për të ndihmuar që të ecim përpara për të mirën e Kosovës dhe stabilitetit rajonal. Por sipas amerikanit kryesor në Prishtinë, SHBA-ja është e shqetësuar pasi Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur pozitivisht ndaj këtyre kërkesave.

Duke mos hyrë në specifika, Hovenier tha se është e qartë se do të ketë disa pasoja tjera nëse vazhdohet kjo rrugë ku Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjet kërkesave të të gjithë miqve të saj nga të gjitha vendet që kanë dhe kanë treguar përgjatë më shumë se një apo dy dekadave përkushtimin tonë për të parë Kosovën duke e marrë vendin e saj në Evropë dhe brenda strukturave evropiane dhe euroatlantike.

Ambasadori amerikan foli edhe për anulimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, pasi dokumentet u rregulluan, çështje të cilën e quajti të rëndësishme. Për ShBA-në, duke marrë parasysh historinë tonë për një minutë, pyetja e medias së lirë dhe të pakufizuar është shumë e rëndësishme. Ai madje u kthye edhe në histori, duke përmendur vitin 1787, kur kushtetuta e SHBA-së diskutohej dhe iu dërgua shteteve për ratifikim, u bë e qartë se kishte shqetësime se nuk u ishte kushtuar mjaftueshëm vëmendje disa të drejtave specifike, një nga të cilat ishte liria e medias, dhe ishte kusht i disa shteteve për ta ratifikuar kushtetutën, atyre iu desh t’i kalojnë disa amendamente, të quajtur Ligji i të Drejtave, që përfshinin lirinë e medias. Kjo është pjesë e idealeve themeltare të SHBA-së si Shtete të Bashkuara të Amerikës.

Thomas Jefferson, sekretari i parë i shtetit, presidenti i tretë, hartues i deklaratës së pavarësisë, iu referua mediave si pushteti i katërt dhe çka nënkuptonte me këtë është se ne kemi degën ekzekutive, degën legjislative, degën gjyqësore dhe pastaj mediat dhe roli që mediat duhet të luajnë është të sigurojnë transparencë dhe llogaridhënie. Pra i marrim seriozisht të gjitha tendencat për ta kufizuar rolin e medias dhe ofrimin e atij shërbimi ndaj shoqërisë për transparencë dhe llogaridhënie. Pra jemi duke e parë këtë nga afër. Besojmë se çfarëdo përpjekje për të ndikuar në operimin, regjistrimin e biznesit, transmetimin e medias së pavarur kërkon shqyrtime shumë të kujdesshme dhe të detajuara dhe këto veprime nuk duhet të merren me lehtësi, apo pa pasur arsye shumë të rëndësishme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat