Abdixhiku thotë se po ndërtojnë një mendim veprues që ballafaqon “theqafjen nacionale”

Aktuale

Abdixhiku thotë se po ndërtojnë një mendim veprues që ballafaqon “theqafjen nacionale”

Më: 5 korrik 2023 Në ora: 20:10
Lumir Abdixhiku

Sot, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka organizuar një takim për debat me gazetarë dhe opinionistë.

Pas takimit, Abdixhiku ka thënë se e vlerësojnë dhe çmojnë secilin mendim, në veçanti të atyre që këto mendime i bëjnë publike.

“Sot, në Prishtinë, mbajtëm takimin e parë konsultues me opinionistë e gazetarë, si pjesë e iniciativës sonë për debat të gjerë nacional mbi gjendjen dramatike në vend. Vlerësojmë dhe çmojmë secilin mendim, në veçanti të atyre që këto mendime i bëjnë publike – edhe kur pajtohemi, edhe kur nuk pajtohemi me to. Vlerësojmë, mbi të gjitha, që Kosova ka nevojë për një mendim të guximshëm dhe të qartë, që rrugëtimin tonë euroatlantik e kthen në binarë. Këtë mendim duhet ta ndërtojmë sot, në çdo pozicion tonin, partiak apo jopartiak pa dallim; dhe këtij mendimi duhet t’i kontribuojnë të gjithë, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.

Takimi është thirrur për shkak të situatës në veri të Kosovës, ku partitë opozitare përfshirë LDK-ja kanë kritika ndaj Qeverisë të drejtuar nga Albin Kurti.

“Mes një diskutimi të hapur e shumë përmbajtjesor, dëgjuam të gjitha pikëpamjet e pjesëmarrësve mbi gjendjen aktuale politike në vend. Diskutuam, trajtuam, morëm sugjerime, ide e komente dhe mbi propozimin tonë e mbi rrugën politike që të gjithë duhet ta ndërtojmë. Falënderoj gjithë pjesëmarrësit për përgjigje pozitive në ftesën tonë. E vlerësojmë si kontribut. E çmojmë secilin mendim”, ka shkruar kreu i LDK-së.

Abdixhiku ka thënë se do të vazhdojnë takimet e tilla me secilin akter në Kosovë. Abdixhiku thotë se po punojnë në ndërtimin e një mendimi veprues që ballafaqon “theqafjen nacionale”.

“Do të vazhdojmë të takojmë e të flasim me secilin akter të Kosovës. Jemi në përpjekje të vazhdueshme për ndërtimin e një mendimi veprues, që ballafaqon theqafjen nacionale tek e cila jemi futur tash e një kohë të gjatë. Rruga jonë, e së ardhmes, zhvillimit, e një Kosove njëmendtë sovrane, e barabartë mes kombeve euroatlantike, është rrugë e paalternativë. Jam i bindur se shoqëria kosovare, populli i Kosovës, ka mjaftueshëm masë kritike ta ndërtoj këtë rrugë”, ka shtuar ai. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat