Vazhdon ende dilema nëse takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillohet apo jo.
Kjo pasi Kurti tha dje se nuk e takon Ramën për shkak të anulimit të mbledhjes së dy qeverive që ishte paraparë të mbahej muajin e kaluar në Gjakovë.
Nga ana tjetër, Rama sot ka njoftuar se i ka dërguar 13 marrëveshjet në Ministrinë e Punëve te Jashtme të Kosovës, të nënshkruara nga Qeveria e Shqipërisë, në pritje që të njëjtat t’i nënshkruaje edhe Qeveria e Kosovës.
Për avokatin Tomë Gashi, kjo është një arsye e mjaftueshme se takimi ndërmjet dy kryeministrave do të zhvillohet.
Po ashtu Gashi tha se ndonëse me vonesë, Rama e kuptoi se projekti Open Balkan ishte i gabuar dhe deklaroi zhbërjen e tij.
Postimi i plotë:
Kryeministri Kurti do të takohet me Kryeministrin Rama
KM Albin Kurti, shumë me herët, e parashikoi se Open Balkan nuk është në interes të Kosovës për çka edhe nuk iu bashkua. Me Open Ballkan fitonte Serbia, humbnin Kosova e Shqipëria.
Open Ballkan ka qenë ide e Serbisë, e veshur me petkun e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit te Zi.
KM Rama e kuptoi këtë me vonesë, por, me mire vone se kurrë! Ai publikisht deklaroi zhbërjen e Open Balkan, duke befasuar edhe vet Vuçiqin për këtë veprim të mençur. Tani, fokusi është tek Procesi i Berlinit i cili, ne tetor, do te mbahet ne Tirane.
Po ndodhe fiks ashtu siç e parashikoi KM Kurti - që nuk na duhen dy iniciativa kur e kemi një të mjaftueshme e që është Procesi i Berlinit i cili promovon vlerat evropiane.
Dje u bë e ditur se sot do të vije në Kosovë KM Rama, për të cilin KM Kurti deklaroi se nuk do ta takojë pa u mbajtur takimi i dy qeverive - i anuluar njëanshëm nga KM Rama, më 14 qershor, e ku ishte parashikuar të nënshkruhen 13 marrëveshje në mes të Kosovës e Shqipërisë, në të mirë të qytetarëve të një kombi të ndarë në dy shtete.
Sot, KM Rama e bëri publike se, pas refuzimit për takim nga ana e KM Kurti, i ka dërguar 13 marrëveshjet në Ministrinë e Punëve te Jashtme të Kosovës, të nënshkruara nga Qeveria e Shqipërisë, në pritje që të njëjtat t’i nënshkruaje edhe Qeveria e Kosovës.
Tani, normalisht që KM Kurti do te takohet me KM Rama - sepse nuk ka më Open Balkan dhe marrëveshjet u nënshkruan.