Pas takimit me Osmanin e Konjufcën, Rama takohet edhe me Hovenierin – ambasada amerikane jep detaje

Aktuale

Pas takimit me Osmanin e Konjufcën, Rama takohet edhe me Hovenierin – ambasada amerikane jep detaje

Nga: Bota sot Më: 6 korrik 2023 Në ora: 16:08 Përditësuar në ora: 20:23 më 06.07.2023
Foto nga takimi

Konjufca: Raportet Kurti-Rama janë lënduar, por takimi mund të ndodh së shpejti

Raportet ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama janë lënduar, ka thënë kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Megjithatë, ai shtoi se kjo do të rregullohet së shpejti dhe takimi i dy kryeministrave shqiptarë mund të ndodhë.

Pas takimit me kryeministrin Rama të enjten, Konjufca, arsyetoi veprimin e Kurtit që mos të pres në takim homologun e tij nga Shqipëria.

Konjufca: Kemi qenë të lënduar nga anulimi i mbledhjes së dy qeverive

“Mendoj se nuk është një acarim i raporteve, aq që mos të takohen fare. Ajo si është ndje Republika e Kosovës po e shpjegoj, pasi ashtu janë ndjerë edhe qytetarët. Unë do të kisha përdorur shprehjen lëndim, kur të lëndon dikush. Ne kemi qenë të lënduar prej anulimit të mbledhjes së dy qeverive, por jo aq të lënduar sa mos të presim fare zotëri Ramën. Ne gjithmonë duhet të shikojmë nga këndvështrimi i interesit të kombit tonë. Natyrisht, mendoj se kjo do të rregullohet së shpejti, ata do të takohen së shpejti edhe nëse jo sonte”, tha ai.

Konjufca nënvizoi se anulimi i mbledhjes së dy qeverive nuk mund të kapërcejë sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Konjufca: Kjo ka qenë ide e kryeministrit dhe duhet të respektohet

“Kjo ka qenë ide e kryeministrit dhe duhet të respektohet. Ndonjëherë kështu funksionojnë marrëdhëniet mes shteteve kur t’i dëshiron të përçosh një porosi të caktuar se ke qenë i lënduar. Kjo nuk është një çështje që duhet të kapërcejë thuajse nuk ka ndodhur asgjë pasi kjo përjetohet atëherë si paternalizëm”, shtoi Rama.

Krahas kësaj, ai theksoi se Rama mund t’i ndihmojë shumë më shumë Kosovës seç po bënë aktualisht.

Konjufca: Rama mund të na ndihmojë shumë më shumë seç po e bënë aktualisht

“Ndihma e Republikës së Shqipërisë është e pazëvendësueshme. Zotëri Rama mund të na ndihmojë shumë më shumë seç po e bënë aktualisht. Republikën e Kosovës në këto përpjekje tona të cilat janë me të vërtet shtetërore dhe kushtetuese për të vendosur rend dhe ligj në një pjesë të territorit të Kosovës të mos e shohin Kosovës si fajtore. Këtu nuk ka fajtor, këtu mundet me pas më shumë përgjegjësi e cila gjithmonë tek ne është pozitive, jo me veprime të drejtuara kundër qytetarëve serb, por me ushtrua kushtetutshmërinë tonë elementare në të gjitha institucionet e vendit”, deklaroi Rama.

Teksa edhe paraqiti tri raste, që sipas tij Shqipëria e ka dëmtuar në pozicione Kosovën.

Konjufca; Në këto tri raste Shqipëria e ka dëmtuar Kosovën

“Ne patëm një krizë në 2017-n, kur u duk se sikur për Kosovën, edhe Republika e Shqipërisë po është në anën e opsionit të shkëmbimit territorial. Mendoj se kjo e dëmtuar Republikën e Kosovës. Mendoj se e ka dëmtuar edhe ideja e ‘Ballkanit të Hapur’, sepse ky është dallim nga ajo që ka nevojë Kosova. E tash e treta është kjo që po e dëmton Republikën e Kosovës, kur ne jemi në të drejtën tonë dhe ku nuk po na kupton as Republika e Shqipërisë. Prej kësaj nuk ka gjëra pozitive, me këto pozicione Kosova mundet vetëm të dëmtohet”, shtoi ai.

I pyetur për propozimin e Ramës për Asociacionin, Konjufca tha se elemente të tij përmbajnë autonomi territoriale për serbët në Kosovë.

Konjufca: Elemente të propozimit të Ramës për Asociacionit përmbajnë autonomi territoriale

“Ai ka ndarë elemente të Asociacionit, mirëpo ai pretendon që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, mirëpo mua më është dukur se në elemente të caktuara të propozimit të zotëri Rama përmbajnë autonomi territoriale për serbët e Kosovës. Kjo është në kundërshtim me interesin e kombit shqiptar dhe popullit të Kosovës”, deklaroi Konjufca.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Rama u takua edhe me presidenten Vjosa Osmani, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Rama po qëndron në Kosovë, në kuadër të një takimi dyditor ballkanik, që synon të informojë shtetet e rajonit për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur samitin e Procesit të Berlinit.

Rama thumbon Kurtin para gazetarëve: S’kam homolog

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thumbuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, para gazetarëve pas takimit të tyre me kryeparlamentarin kosovar, Glauk Konjufca.

Rama është pyetur për opinionin e tij në lidhje me Kurtin, por ai refuzoi të komentonte, duke thënë: “S’kam homolog unë, nuk jap dot koment”.

Kujtojmë se vizita e Ramës në Kosovë ishte e shoqëruar me shumë diskutime dhe polemika, pasi kryeministri Albin Kurti nuk kishte pranuar të takohej me homologun e tij nga Shqipëria.

Kryeministri Rama do të qëndrojë në Kosovë në kuadër të një turi dyditor ballkanik që synon të informojë shtetet e rajonit për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur Samitin e Procesit të Berlinit.

Ai sot pasdite është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani.

Hovenieri takohet me Ramën

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është takuar sot me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës së këtij të fundit në Kosovë.

Lajmin e kanë konfirmuar nga ambasada amerikane, ku thanë se Hovenier e Rama shkëmbyen disa mendime.

“Në përputhje me praktikën diplomatike, ambasadori Hovenier takohet shpesh me një gamë të gjërë zyrtarësh qeveritarë. Ambasadori u nderua që pati mundësi të shkëmbente mendime me kryeministrin Rama”, thuhet në përgjigje.

Kujtojmë se sot Rama është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca, por jo edhe me kryeministrin Albin Kurti.

“Mos fajësoni Kosovën”, Konjufca pas takimit me Ramën: Na duhet ndihma e Shqipërisë

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, ka zbardhur takimin me kreun e qeverisë së Shqipërisë Edi Rama, i cili ka qenë ditën e sotme në Kosovës, në kuadër të turit Ballkanik.

Në fjalën e tij ai tha se kanë biseduar për zhvillimet politike në vend, ndërsa theksoi se presin ndihmë nga Shqipëria.

Ai bëri thirrje që shtetet fqinje nuk duhet ta shohin Kosovën fajtore në lidhje situatën në Veri.

“Biseduam për zhvillimet në vend dhe situatën politik,e si dhe ndihmën e domosdoshme që e presim nga Shqipëria. Po bëjmë përpjekje që janë shtetërore dhe kushtetuese. Janë përpjekje për të vendosur rend dhe ligj. Mos ta shohin Kosovën si fajtore në këtë mes sepse nuk ka faj”- tha ai.

​Rama i shkon në takim Konjufcës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjfuca ka nisur takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Rama u takua edhe me presidenten Vjosa Osmani, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Në anën tjetër, ende nuk dihet nëse Rama do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.

Rama po qëndron në Kosovë, në kuadër të një takimi dyditor ballkanik, që synon të informojë shtetet e rajonit për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur samitin e Procesit të Berlinit.

Presidenca zbardh detaje nga takimi i Osmanit me Ramën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Në takim u diskutua për samitin e NATO-s, i cili do të mbahet gjatë korrikut në Vilnius të Lituanisë, për samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë në tetor të këtij viti si dhe për situatën aktuale në Kosovë e rajon, në raport me zhvillimet e fundit të sigurisë në veri të vendit.

Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për t`i adresuar sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni së bashku me partnerët euroatlantikë.

"Në raport me situatën e sigurisë në veri, Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës. Për më tepër, theksoi se është e domosdoshme që ata që kanë sulmuar NATO-n, gazetarët, policinë e Kosovës dhe qytetarët në veri, të jenë përgjegjës para ligjit, sepse pandëshkueshmëria mund të nxisë edhe më shumë dhunë", thuhej në njoftimin e Zyrës së Presidencës,

Sa i përket Samitit të Procesit të Berlinit, u bisedua për domosdoshmërinë e hyrjes në fuqi të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë proces, e sidomos asaj që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, si dhe për mundësinë e rritjes së projekteve dhe fondeve përfituese për vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

Nga ana tjetër, sa i përket Samitit të NATO-s, Presidentja falënderoi Shqipërinë për përkrahjen e vazhdueshme sa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë aleancë, ndërkaq ritheksoi rëndësinë e ecjes përpara me anëtarësim në Partneritet për Paqe, si hap drejt anëtarësimit të plotë në NATO, i cili njëkohësisht do t’i kontribuonte stabilitetit afatgjatë në rajon.

Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama u dakorduan që të vazhdojnë koordinimin në të mirë të qytetarëve të dy shteteve tona si dhe në të mirë të paqes dhe sigurisë rajonale.

Osmani pas takimit me Ramën: Diskutuam për proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se sot me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën ka diskutuar për proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit.

“Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike.”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Pas takimit me Osmanin, Rama do të takohet me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Ndërkaq, ende nuk është konfirmuar takimi me kryeministrin Albin Kurti.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po qëndron në Kosovë, në kuadër të një takimi dyditor ballkanik, që synon të informojë shtetet e rajonit për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur samitin e Procesit të Berlinit

Rama në takim me Osmanin, ambasadori amerikan futet me shpejtësi në ambientet e brendshme të Kuvendit

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier ka hyrë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës ku ndodhet edhe Kryeministri Rama i cili po zhvillon një takim me presidenten Vjosa Osmani.

Gazetari i Euronews Albania, Kosovë Gjoci tha në një lidhje direkte se ende nuk dihet nëse arsyeja e ardhjes është një takim me Ramën apo do të zhvillojë takime veçmas me ndonjë nga liderët e Kosovës.

Ai tha gjithashtu se ambasadori amerikan ka dalë me shpejtësi nga makina e është futur po me shpejtësi në ambientet e brendshme të Kuvendit.

Ku më pas është drejtuar në pjesën ku ndodhet edhe presidenca e Kosovës.

Rama në Kosovë, pritet në takim nga presidentja Osmani

Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Mediet janë lejuar të marrin pamje në fillim të takimit. Rama më pas do të pritet në takim edhe nga kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Përderisa kreu i Qeverisë, Albin Kurti e ka refuzuar takimin me Ramën.

Rama nga Shkupi ka komentuar deklaratat e djeshme të kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se nuk do të takohet me Ramën pa u takuar fillimisht në kuadër të mbledhjes së dy qeverive shqiptare.

Ai shtoi se nuk i ka kërkuar takim Kurtit dhe se sipas tij, Kurti ka refuzuar takimin paraprakisht, duke menduar se Rama më pas do i kërkonte takim.

Madje ai tha se shpreson që Kurti nuk e ka harruar Kanunin, duke shtuar se edhe hasmit i hapet dera.

---

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në aeroportin e Prishtinës, në Kosovë, ku është pritur nga ambasadori i Shqipërisë aty.

Rama do të pritet në takim në orën 16:00 nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, me të cilën do të zhvillojë takim dypalësh.

Pas Osmanit, Rama do të takohet me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Ndërsa në pritje të konfirmimit mbetet ende takimi me Kryeministrin Albin Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat