Rama nga Beogradi kritikon Kosovën, kërkon themelimin e Asociacionit – Vuçiq ka një ‘ultimatum’!

Aktuale

Rama nga Beogradi kritikon Kosovën, kërkon themelimin e Asociacionit – Vuçiq ka një ‘ultimatum’!

Më: 7 korrik 2023 Në ora: 20:12 Përditësuar në ora: 21:45 më 07.07.2023
Takimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Beograd, 7 korrik 2023.

Tension në fund të konferencës Rama-Vuçiq

Një moment tensioni është regjistruar në fund të konferencës për shtyp mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Tonet e zërit ndryshuan kur është folur për çështjen e draftit që kreu i qeverisë shqiptare i ka dorëzuar presidentit francez dhe kancelarit gjerman për Asociacionin.

Rama u shpreh se këtë draft për statusin e komunave me shumicë serbe ia kishte çuar “kumbarëve të marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës”, duke iu referuar Francës dhe Gjermanisë, gjë që solli dhe reagimin me tone të ashpra të liderit serb, shkruan A2CNN.

Ndërsa, i menjëhershëm ishte reagimi i Vuçiqit, i cili tha se në Serbi ata i zgjedhin vetë kumbarët e tyre, duke shtuar se sipas marrëveshjes së Brukselit, është vetëm Serbia ajo që mund të propozojë statut të Asociacionit.

Rama: Zvarritja e formimit të Asociacionit, gabim strategjik

Procesit i Berlinit edhe situatës në rajon, përfshirë zhvillimet në veri të Kosovës, kanë qenë temat për të cilat kryeministri i Shqipërisë Edi rama, tha se ka biseduar me presidentin e serbisë, Alleksandar Vuçiq.

“Kemi fituar shprehi të shkëmbejmë hapur mendime dhe ndonjëherë të mos pajtohemi me to, por duhet të punojmë për të mirën e paqes. Ne kemi nevojë për momente të tilla për të punuar së bashku”, tha Rama, më 7 korrik, në Beograd.

Këto deklarata, kryeministri Rama i bëri në një konferencë për media në Beograd, pas takimit me presidentin serb Alleksandar Vuçiq.

Rama theksoi se beson që zvarritja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është gabim strategjik.

“Është gjithashtu gabim strategjik të vazhdohet me vonimin e krijimit të kushteve që serbët të ushtrojnë të drejtat e tyre fetare dhe që kisha të funksionojë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës”, tha ai.

Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është arritur në vitin 2013, si pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Duke folur për situatën në Kosovë, ai ka shtuar se është gjithashtu gabim të “insistohet” që kryetarët shqiptarë në veri të Kosovës të qëndrojnë në ndërtesa komunale.

“E kam thënë publikisht këtë dhe e përsëris këtu”, tha Rama.

Në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubina Potokut hynë në ndërtesat komunale me ndihmën e policisë, përkundër kundërshtimit të serbëve lokal që bojkotuan zgjedhjet, në veri të Kosovës u ngritën tensione.

Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera perëndimore kërkojnë de-përshkallëzimin e menjëhershëm të situatës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe rikthimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Rama dhe Vuçiq për planin e Ramës për Komunitetin në Kosovë

Rama foli edhe për propozimin që ka paraqitur më herët për formimin e Komunitetit të Komunave me shumicë serbe.

Më 7 qershor, ai ia përcolli presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz një draft -statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Rama tha se propozimi nuk ishte diçka që duhej të shqyrtohej nga të dyja palët, por shprehu keqardhjen që propozimi nuk u kuptua si kontribut.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në konferencën për media, ka përsëritur qëndrimin se “për statutin (e Asociacionit të komunave me shumicë serbe) nuk ka asnjë përgjegjës tjetër përveç Ekipit Menaxhues serb”.

Vuçiq tha se nuk e ka parë propozimin e përmendur nga Edi Rama, por se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me atë që është nënshkruar në Bruksel.

Vuçiq ‘ultimatum’ gazetarëve serbë: Mos më pyesni për Kosovën

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, nuk ka pranuar të flaës për tensionet me Kosovën gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama.

Duke u përballur me insistimin e gazetarëve për të marrë prononcime mbi këtë situatë, Vuçiq u tregua i prerë.

Ai u kërkoi mediave të mos e pyesin në lidhje me Koosvën.

“U kërkoj gazetarëve serbë të mos më pyesin për çështjen”, u shpreh ndër të tjera Presidenti i Serbisë.

Rama: Gabim mbajtja e kryetarëve në zyra bosh KOMENTE

Kryeministri Edi Rama e cilësoi një gabim strategjik të Kosovës tërheqjen zvarrë të asociacionit dhe futjen në zyra të kryetarëve të komunave në veri të zgjedhur nga votime të bojkotuara.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Rama u shpreh se duhet t’i hapet rruga zgjedhjeve të reja në veri që do të legjitimonin kryetarët e rinj të 4 komunave.

“Drafti është kontribut pozitiv nga ana ime, dhe nuk është e thënë që palët të pranojnë. Nëse ky do të ishte një kontribut në emër të Kosovës, atëherë nuk do të kishte asnjë vlerë. Sepse për Kosovën dhe në emër të saj flasin ata që e përfaqësojnë. Siç nuk mund ta konsultoja as me Vuçiç. Tërheqja zvarrë e asociacionit është gabim strategjik dhe po ashtu është gabim strategjik tërheqja zvarrë e krijimit të kushteve për serbët e Kosovës.

Ashtu siç besoj se këmbëngulja për të mbajtur në godina bosh, me policë, kryetarë komunash që u zgjodhën në kushte bojkoti, është një tjetër gabim strategjik. Shpresoj që presidenti dhe Serbia do ta thotë qartë, që nëse hapet rruga për zgjedhje aty do mbahen”, tha Rama.

Vuçiq përmend Thaçin, Haradinajn e Hotin - ja çka thotë për Kurtin

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama se i njeh pikat e planit franko-gjerman, të propozuara për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, por se nuk mund të vazhdojë të bëjë më tepër.

“Në tre pikat më të rëndësishme kemi zbatuar dy. Nuk vazhdojmë me të treten se duhet t’i bëjë dhe Kosova. Ne duam paqe, nuk është vetëm deklaratë, është diçka që po punojmë. Si në Tiranë dhe në Prishtinë do ketë prej tyre që e shohin Serbinë si e keqja. Dua që të dini se situata është e vështirë në Serbi lidhur me këtë çështje. Nuk do ju them ju se sa të vështira janë problemet që po përballemi. S’kam pasur problem të takoja Albin Kurtin. Kam folur me Thaçin, Haradinajn, Hotin, jam munduar të gjejmë zgjidhje. Më pyesin kur do ta takoj Albin Kurtin, por as ata që janë më afër tij nuk e dinë,” – u shpreh Vuçiç.

Ndërkohë, ai shtoi se kanë diskutuar për Open Balkan gjithashtu, ndërsa sqaroi se draftin e propozuar nga Rama për shtensionimin e gjendjes nuk e ka parë.

“Do t’i referohesha marrëveshjes së Brukselit dhe planit franko-gjerman që thotë se asociacioni duhet të krijohet në bazë të marrëveshjeve të firmosura. Nuk kërkojmë më shumë se aq. Asociacioni duhet të formohet, duhet të ishte bërë 10 vite më parë, por nuk ka vullnet për ta bërë,” – u shpreh presidenti serb.

Vuçiqi pas takimit me Ramën: “Ballkani i Hapur” e ka rritur shkëmbimin tregtar mes dy vendeve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për situatën në Kosovë e Procesin e Berlinit që do të mbahet në Tiranë.

Vuçiq tha se me Ramën foli për pikëpamjet e ndryshme që kanë për situatën në Kosovë, për të cilat s’pranoi të japë detaje.

“Ne folëm edhe për pikëpamjet shpeshherë të ndryshme për situatën në Kosovë, por mendoj se do të ishte e padrejtë dhe e pasaktë të deklarohej kjo në prani të kryeministrit shqiptar”, tha Vuçiq, shkruan Euronews.rs.

Tutje, Vuçiq tha se me Ramën ka folur edhe për shkëmbimin tregtar mes Shqipërisë e Serbisë, duke thënë se “Ballkani i Hapur”, e ka rritur ndjeshëm atë

“Ajo iniciativë solli përfitime të mëdha për secilin prej nesh dhe besoj, mbi të gjitha për qytetarët tanë. Mendoj se në të ardhmen kjo iniciativë mund të kontribuojë në afrimin e mëtejshëm të njerëzve dhe për një jetë dhe standard më të mirë”, tha Vuçiq.

Rama pritet nga Vuçiq në Beograd: Plani franko-gjerman, rruga e uljes së tensionit

Kryeministri Edi Rama u prit mbrëmjen e së premtes në Beograd nga presidenti Aleksandër Vuçiq.

Në konferencën e përbashkët për shtyp Vuçiq tha se pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme me Shqipërinë lidhur me cështjen e Kosovës, Serbia do vazhdojmë të kontribuojë për marrëdhënie më të mira mes dy vendeve.

Kryeministri Rama nga ana e tij u shpreh se rruga e vetme është jo rruga e rritjes se tensioneve por rruga e dialogut dhe e dakordësise mbi marrëveshjen që buron nga plani franko-gjerman.

“Ne jemi mjaftueshmërisht mësuar që t’i ndajmë opinionet tona në mënyrë të drejtpërdrejtë, të biem dakord që nuk biem dakord por kjo s’na ndalon bashkëpunimin dhe paqen. Për të punuar dhe bashkëpunuar konkretisht duhet që në momente si ky, e është një moment specifik, të evitojmë që ndarja e gjithë pikëpamjeve në publik të përkeqësojë klimën. Me kaq mjafton. Rruga e vetme është jo rruga e rritjes se tensioneve por rruga e dialogut dhe e dakordësisë mbi marrëveshjen që buron nga plani franko-gjerman. Nuk dua të përsëris ne Beograd çfarë kam thënë në Prishtinë, por dua të shtoj se askush nuk duhet të nënvlerësojë përshkallëzimin e tensionit. Të mos humbasim kohë dhe energji të pafundme me pasoja të pakthyeshme”, tha Rama.

Rama mbërrin në Beograd, do takohet me Vuçiqin

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur pasditen e së premtes në Beograd në kuadër të turit ballkanik parapërgatitje në kuadër të procesit të Berlinit.

Rama pritet të zhvillojë një takim me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Më herët, Rama zhvilloi takim me krerët e shtetit në Bosnje Hercegovinë dhe Mal të Zi.

Nga Podgorica Rama lajmëroi se në 17 korrik do të zhvillohet takimi informal me përfaqësues nga Komisioni Europian dhe liderët e Ballkanit Perëndimor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat