Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ka shkarkuar nga detyra Shemsi Hazirin, shefin e Njësisë së Veçantë të Hetimeve, (ish-Task Forcës Kundër Korrupsionit) brenda Policisë së Kosovës, ekipi që udhëhiqte hetimet ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.
Shkarkimi i Hazirit është bërë këtë të premte, derisa nuk është dhënë asnjë arsye nga Policia e Kosovës për shkarkimin e tij.
Albanian Post ka kuptuar se shkarkimi i Hazirit lidhet pikërisht me hetimet e tij ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
AP ka raportuar se urdhri për shkarkim ka ardhur nga niveli politik i udhëheqjes së Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Albanian Post ka komunikuar me zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Baki Kelani, por ai ka refuzuar të jap përgjigje përkundër se ka hapur telefonin. “Nuk jam në punë tash”, ka deklaruar ai.
Aktualisht ish-shefi i KEK-ut Krasniqi gjendet në paraburgim, derisa arrestimin e tij e pati kritikuar ashpër Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.