Haradinaj kujton vëllezërit Bytyqi: Serbia vazhdon me injorimin dhe mohimin e krimeve

Aktuale

Haradinaj kujton vëllezërit Bytyqi: Serbia vazhdon me injorimin dhe mohimin e krimeve

Më: 8 korrik 2023 Në ora: 09:53
Ramush Haradinaj pranë varrezave të vëllezërve Bytyqi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar vëllezërit Bytyqi në përvjetorin e tyre.

Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj ka deklaruar se Serbia vazhdon të mohojë krimet e kryera në Kosovë gjersa dekoron edhe kryerësit e krimeve.

“Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqi, shtetas amerikanë, iu bashkuan rreshtit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përpjekjet më vendimtare për lirinë e atdheut. Vetëm pak ditë pas përfundimit të luftës u arrestuan nga shteti serb, ku më pas u ekzekutuan. Shteti serb, përpos që i ekzekutoi ata dhe shumë shqiptarë tjerë, vazhdon me injorimin dhe mohimin e krimeve dhe me dekorimin e kriminelëve të luftës, mes tyre edhe ata që dyshohen se vranë vëllezërit Bytyqi. Sot e çdo ditë ndajmë dhembjen me familjen Bytyqi – me bacën Ahmet e me zonjën Bahrije dhe bashkëluftëtarët e “Atlantikut””, ka shkruar ai.

Tutje, Haradinaj ka deklaruar se idealet e të ndjerëve Bytyqi vazhdojnë të kujtohen gjersa thekson se përpjekjet për drejtësi do vazhdojnë të jenë evidente.

“Heroizmi, humanizmi e atdhedashuria e Agronit, Yllit e Mehmetit do të kujtohen ndër breza! Ne kurrë nuk do të ndalemi në përpjekjet për të çuar drejtësinë në vend për krimin e dëshmuar dhe vrasësit ta marrin dënimin e merituar. Lavdi e përjetshme!’, ka shkruar ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat