Shkarkohet shefi i Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës

Aktuale

Shkarkohet shefi i Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës

Më: 8 korrik 2023 Në ora: 17:21
Shemsi Haziri

Shefi i Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës, (ish Task Forca), Shemsi Haziri është shkarkuar nga kjo pozitë.

Haziri tha se vendimi i është komunikuar verbalisht ndërsa arsyet pse është shkarkuar nuk i di ende.

Ajo çka mundem me të konfirmu aktualisht është se jam shkarkuar, po mu ashtë komuniku verbalisht që nga e premtja nuk do të jem në pozitë. Në polici do të jem por jo në pozitën që kam pasur (shef i njësisë së veçantë të hetimeve, ish-TaskForcës). Arsyet nuk i kanë komunikuar kam kërkuar arsye nuk më kanë dhënë. Kjo është e gjitha çfarë kam”, tha Haziri për KALLXO.com.

Haziri njoftoi se deri më tani i janë ofruar tri pozita brenda Policisë së Kosovës.

“Nuk mundem me të dhënë përgjigje. Më kanë ofruar 3 pozita, por nuk kam vendosur as unë as ata”,tha tutje ai.

Departamenti brenda Policisë së Kosovës që udhëhiqej nga Shemsi Haziri ka hetuar rastin e kryeshefit tashmë të suspenduar të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i cili u arrestua me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës nën dyshimin se ka kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; ushtrimi i ndikimit, dhe konflikti i interesit.

Më 25 prill, Bordi i drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka marrë vendim për suspendimin nga puna të kryeshefit ekzekutiv, Nagip Krasniqit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat