Ministrja e Punëve të Brendshme, Donika Gërvalla, në kuadër të Forumit të Dubrovnikut deklaroi të shtunën se Bashkimi Evropian pa Shtetet en Bashkuara të Amerikës dhe pa NATO-n është e paaftë që të garantojë siguri.
Në panelin "Ballkani Perëndimor: Një momentum i ri euro-atlantik", ku ishte me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Gërvalla iu referua BE-së si “tigër prej letre”.
“Pyetje kyçe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme, nukka vullnet politik, ka shumë mospajtime në union dhe pa ShBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një “Tigër prej letre” në aspektin e sigurisë.”, u shpreh Gërvalla.
Lidhur me këtë deklaratë, mospajtim shprehu emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se gjithçka e mirë që ka ndodhur në gjeneratën e fundit ka ndodhur në Ballkan në gjeneratën e fundit, është arritur në bashkëpunim ShBA-BE.
“Paper Tiger (Tigër prej letre) është term që i referohet diçkaje apo dikujt që pretendon të jetë i fuqishëm ose kërcënues e që në të vërtetë është i paefektshëm dhe i paaftë për t’i bërë ballë sfidës.”, tha ai.
Ndërsa, përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak u shpreh se Bashkimi Evropian është larg të qenurit i përkryer.
Ai tha se anëtarësimi në BE është ëndërr për shetet e Ballkanit Perëndimor.
“Mund të them që BE është larg të qenurit e përkryer, por megjithkëtë është më e mira që e kemi. Është bashkimi më i suksesshëm i shteteve. Mendoj që anëtarësimi në BE është arritje e ëndrrave të vendeve, të cilat janë duke trokitur në ëndrrën evropiane”, u shpreh ai.
Deklaratën e ministres Gërvalla ndaj BE-së e kritikoi opozita.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e quajti të papërgjegjshme deklaratën e ministers.
“Evropa tigër prej letre, deklaron Ministrja e Jashtme e Kosovës në një konferencë ndërkombëtare. Çfarë papërgjegjësie, e përzier me megallomani dhe injorancë. Zatën, këto të trija rëndom shkojnë bashkë. Sa për referencë, “ tigër prej letre” i ka quajtur Mao Zedong SHBA-të.”, shkroi ajo në Facebook.
Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Muharrem Nitaj i quajti jodiplomatike, skandaloze dhe shumë të dëmshme vlerësimet e Gërvallës për BE-në.
“Jo vetem jodiplomatike, por skandaloze dhe shume te demshme vleresimet per BE te Ministres se Jashtme Donika Gervalla! Me e pakta qe do te duhej, eshte nje deklarate e Presidentes dhe Kryeministrit ku do sqaronin se ajo qe ka thene Ministrja e Jashtme, nuk eshte qendrim zyrtar i Republikes se Kosoves. Pas nje distancimi te tille, edhe zonja Gervalla do ta kete me te lehte ta gjeje rrugen e vet!”, shkroi ai në Facebook.
Ndërsa, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi e quajti të mjerë gjendjen diplomatike të Kosovës.
“Përderisa Kosova po përjeton ditët e zymta nën sanksionet e BE-së, çohet një ministre nga Kosova, që për fat të keq të shtetit të ri - qëlloi të mbajë postin e krye diplomates - dhe i kërkon llogari BE-së për sigurinë. Thuajse blloku i vendeve evropiane i detyrohet personalisht zonjës Gërvalla-Schwarz!? Ajo e godet BE-në si ‘një tigër prej letre’ duke aluduar se BE-ja u dashka t’i jap siguri Kosovës dhe eventualisht të hyjë në luftë për të!? E zhytur në pikëpamje iluzive të një bote paralele, mori përgjigje të merituar nga emisarët Lajcak e Escobar. I pari ia kujtoi kryediplomates kosovare se nuk ekziston një BE tjetër pos kësaj (nuk ka një BE sipas botës paralele të VV-së!) kurse i dyti ia përkujtoi asaj se vendet e NATO-s që kanë braktisur popullizimin dhe nacionalizmin janë plotësisht të lira dhe të sigurta. Escobar sikur i tha rrini ju në lloqin e rivaliteteve ballkanike!? E mjerë kjo gjendje diplomatike e Republikës së Kosovës dhe e rrezikshme!”, shkroi ajo në Facebook.