​Vazhdohet edhe për dy vjet njohja e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Aktuale

​Vazhdohet edhe për dy vjet njohja e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Më: 10 korrik 2023 Në ora: 13:07
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin që i vazhdon edhe për dy vjet njohjen e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Këtë projektligj e arsyetoi ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, derisa tha se afati për aplikim do të jetë deri më 15 maj 2025.

Murati: Të vazhdohet edhe për dy vjet njohja e statusit për viktimat e dhunës seksuale

Propozimi është që aplikimi për njohjen e statusit për të gjithë personat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës të vazhdohet edhe për dy vjet, më konkretisht deri më 15 maj 2025”, tha ai.

Por, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se nuk duhet të ketë afat kohor për njohjen e statusit të viktimave seksuale gjatë luftës.

Hoxha: S’duhet të ketë afat kohor

Afati nuk duhet të jetë i zgjatur vetëm për dy vjet, duhet të jetë afat i lirë. Pavarësisht se kur viktima në çfarëdo rrethane ndihet i lirë për të adresuar çështjen e vet që e trajton atë si viktimë civile, procesi duhet të jetë i hapur dhe nuk duhet të ketë kufizime kohore”, theksoi ajo.

Të njëjtën e mbështeti edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.

Balje: Puna e komisionit verifikues është katastrofale

Nuk duhet me pas kufizime kohore, pasi nuk është kufizuar në Bosnje, Kroaci dhe asnjë vend. Po ashtu puna e komisionit brenda është shumë katastrofale, kemi viktima që nuk janë të kënaqur me anëtarët e këtij komisioni. Unë publikisht po kërkoj që të ndryshohet ky komision pasi shumë gra kanë hezitime me u paraqitë”, tha ajo.

Krahas kësaj, Kuvendi vendosi që i njëjti projektligj të shqyrtohet me procedura të përshpejtuara, në mënyrë që të miratohet në lexim të dytë gjatë seancës së sotme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat