Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se insistimi i pushtetit që të mbahet seancë e re e Kuvendit ka për qëllim që të shkaktojë përplasje të reja në Kuvend.
Ai ka kërkuar që kjo të ndërpritet menjëherë.
“Insistimi që seanca të mbahet me çdo kusht, kur nuk ka as kushte as vullnet, është qëllim për të shkaktuar përplasje të reja në Kuvend! Ajo duhet të ndërpritet menjëherë!” ka shkruar Tahiri në Facebook.
Të enjten në Kuvend debati parlamentar përshkallëzoi në konfrontim fizik mes ministrave dhe deputetëve të pushtetit me ata të PDK-së.
Pas përpjekjeve të mëvonshme për të rinisur seancën, kryeparlamentari Glauk Konjufca bëri thirrje për nisjen e një seance të re të jashtëzakonshme, por opozita bllokoi foltoren duke pamundësuar mbajtjen e saj.