Abdixhiku i reagon Sveçlës: Etiketoi gazetarë, ofendoi ish-luftëtarë

Aktuale

Abdixhiku i reagon Sveçlës: Etiketoi gazetarë, ofendoi ish-luftëtarë

Më: 15 korrik 2023 Në ora: 13:22
Lumir Abdixhiku

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi “po e humb betejën në terren me Kurtin”, dhe se “prandaj edhe po i kthehet luftës hibride që përmes mekanizmave që ka në kontroll të tentojë të nxisë trazira në Kosovë”

“Luftë hibride” të Vuçiqit, Sveçla e ka cilësuar publikimin e audio-incizimeve të Shefes së Grupit Parlamentar të VV’s, Mimoza Kusari-Lilës me ish-deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq dhe protestën e paralajmëruar të veteranëve të UÇK’së, pasi s’u përfshinë në Ligjin për pagën minimale.

Ndaj këtij statusi të ministrit Sveçla ka reaguar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, që e quan deklaratë të pamatur dhe nxitëse.

Postimi i Abdixhikut:

Deklaratë e pamatur, nxitëse e ofenduese e Ministrit të Punëve të Brendshme. Etiketimi i pabazë i gazetarëve e ofendimi i turpshëm i ish luftëtarëve – edhe nëse s’pajtohemi me ta – është nivel i ri i ulët i politikëbërjes në Republikë.

Të injorosh komunikimin e shefes së partisë me një terrorist, e të ndërtosh gjuhë nxitëse e përplasëse me plot imagjinatë është maskaradë.

Kjo gjuhë, e dhënë tani, kërkon përplasje. Kërkon dhunë e kërkon krizë. Duket se mendja e pushtetit është mu në dhunë e krizë.

Sot, megjithatë na duhet maturi. Na duhen mendje të urta, që afrojnë e s’ndajnë. Sot, mbi të gjitha na duhen politikanë që distancohen nga një mendësi primitive e tillë. E mendësia e tillë meriton veçse shkarkim. Asgjë më pak.

Kosova meriton më mirë.

Kosova duhet ta bëjë një rrugë të re. Kjo gjuhë, dhuna e nxitja e saj, nuk kanë vend.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat