Edhe aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi, ka komentuar lidhur me përleshjen që ka ndodhur mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosje, në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka thënë se në parlamentin e Kosovës, ka deputetë të blerë dhe të shitur.
Sipas Lajçit, opozitën e ka kapur tmerri se “më nuk jep para serbi”, ndaj për këtë e kanë shkaktuar rrahjen me grushte në Kuvend.
“Njëherë deshtën me helmua Oson që s'po koordinohej me Amerikën, por tani që pranoi të del nga ngujimi e policinë ta largoi nga komunat, tash i kapi tmeri tjetër, - ma s'jep pare serbiani! Tash i prishi me Krajlin! - Turruni t'ia marrim kuletën me grushta, bërtitën, - dhe ikën dritat”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Postimi i tij i plotë:
Mjerë Parlamenti që ka deputetë të blemë e t'shitun
Knjaz Nikolla i kishte mbledhë cubat e Malit Zi, dhe n'fushat e Cetisë po ulëronte!
- Thonë ka dalë nji burrë shkodran! - e flet e flet për Oso Kukën. E çon të qielli! E zbret të deti! E fut n'zjarm e hudhë n'det! As nuk mbytet as nuk digjet! Mustakun leqe-leqe e dredha-dredha, deri n'sylah! Synin gacë! T'kuq si gjaku!
- Me këmishë e ka ba nana, ulëron! S'po m'len me u kapë dora-dora me vëllaun serbian n'Kishë Deçane!
Mbreti i Stambollës ma ka falë deri të Drini. Andej Drinit ia ka lanë vllaut serbian, po ky turk shkodran s'po len!
Flet e flet Krajl Nikolla e cubat po e ndëgjojnë! Njeni prej tyne prajshëm ia kthen: - nëse s'e han plumbi, siç po thua e s'e pret shpata, e brenë parja! Kallxoje kuletën Krajl Nikolla, fute fitmën ndër shqiptarë n'daç me u kapë dora-dora n'kishë Deçane me serbianë!
Seç mu kujtua kjo kangë e Kasnecit, këto vargje të At Fishtës tek sa po e shikoja nji skenë filmi amatoresk, në nji Kuvend, ku paret kishin hy si grejzat n'xhepat e deputetëve e po i pickonin mes kofshëve burra e gra!
U mundova me lexua emnin e regjisorit, por ikën dritat!
Qenka ngjallë Krajl Nikolla thashë. Vuçiqi e paska çelë kuletën e fitmet i paska futë ndër deputetët me tru gomari! Dashka me u lidhë dora-dora me Cetinën n'Kishë Deçane!
Njiherë deshtën me helmua Oson që s'po koordinohej me Amerikën, por tani që pranoi të del nga ngujimi e policinë ta largoi nga komunat, tash i kapi tmeri tjetër, - ma s'jep pare serbiani! Tash i prishi me Krajlin! - Turruni t'ia marrim kuletën me grushta, bërtitën, - dhe ikën dritat.
M'tregoni ju që keni pasë drita, kush fitoi; - Xhon Vejn apo Mistër Bini? Kënd e vrau fjala e kënd e tërboi parja? Cilën prej atyne nuseve që turreshin si korbat i pickoi grethi ku s’duhet?
M'duhet mu takua me rregjisorin, se kishte gabime të mëdha në përzgjedhjen e artistëve! Ishin diletant!
Mjerë populli çfarë filmash shikojnë!
Mjerë Parlamenti që ka deputetë të blemë e t'shitun, të krymbun e t'qelbun!
Era po iu vjen edhe këtu n'Shëngjin!
Shëngjin, 15.07.2023