Rreth 300 minatorë të Trepçës janë futur sërish në grevë sot. Kjo për shkak që ende s’e kanë marrë pagën e plotë të muajit qershor.
Këtë e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi.
“Po është e vërtetë jemi në grevë. Po konkretisht për arsye mosrealizimit të pagës. Këtë muaj nuk e kanë marrë pagën e plotë, dhe kjo është. Këta kanë premtuar prej të premten së kaluar që ka me iu dalë paga. Janë rreth 300 punëtorë në grevë, komplet ndërrimi i parë”, tha ai.
Sipas Januzit, gjendja deri në këtë pikë ka ardhur për shkak të mosmenaxhimit të mirë.
“Sipas fjalëve të menaxhmentit arsyeja kryesore është mungesa e fondeve, mirëpo ne po shohim edhe diçka tjetër, pasi nuk po menaxhohet mirë sa duhet. Normal që nuk është dashur me ardh puna deri në këtë gjendje”, deklaroi ai.
Minatorët e ndërrimit të paradites kanë mbajtur grevë edhe të mërkurën e kaluar, por ata të turnit të dytë e kishin ndërprerë pasi iu kishte ekzekutuar pjesa e parë e pagës.