Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka konfirmuar për nesër raundin e ri të bisedimeve në kuadër të dialogut në Bruksel, ku i dërguari special Lajçak do të jetë nikoqir i nivelit teknik të dy palëve.
Stano ka theksuar se në seli të BE-së në Bruksel do të takohen shefat e delegacioneve nga Prishtina edhe Beogradi Bislimi dhe Petkoviç.
Ai nënvizoi se në fokus të këtij takimi do të jetë zbatimi i marrëveshjes për udhërrëfyesin e normalizimit nga 27 shkurti dhe hapat e mëtutjeshëm për de-eskalimin e veriut të Kosovës.
"Lajçak do të jetë nikoqir i ekipeve biseduese në kuadër të dialogut me ndërmjetësim të BE-së. Fokusi do vendoset në zbatimi të plotë të marrëveshjes së 27 shkurtit dhe hapave të mëtutjeshëm në drejtim të de-eskalimit të situatës në veri të Kosovës”, tha Stano në “Tviter”.
Delegacioni i Beogradit do drejtohet nga shefi i delegacionit Petkoviç, ndërsa delegacioni nga Prishtina nga shefi i bisedimeve Bislimi, të cilët tashmë kanë arritur në Bruksel.