Ish-deputeti i PDK-së dorëzon detyrën e drejtorit në agjencinë shtetërore

Aktuale

Ish-deputeti i PDK-së dorëzon detyrën e drejtorit në agjencinë shtetërore

Më: 19 korrik 2023 Në ora: 12:00
Bislim Zogaj dhe Imer Hakaj

Që nga dje, Imer Hakaj do ta zëvendësojë Bislim Zogajn në krye të Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale.

Imer Hakaj, një ish-drejtor i Institutit për Trashëgimi Kulturore, do të ushtrojë detyrën e drejtorit të AMMKM-së.

Zogaj, në një njoftim në Facebook, ka thënë se puna e deritanishme nuk ishte e lehtë, përderisa është përballur me presione e shantazhe.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës e ka dorëzuar detyrën e drejtorit të AMMKM-së pas përfundimit të mandatit në krye të agjencisë, i cili zgjati pesë vjet.

Postimi i plotë i Zogajt:

Dje mbylla një kapitull të veçantë në rrugën time profesionale si Drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, ku në të njëjtën kohë ia dorëzova detyrën e Drejtorit të AMMKM-së, ushtruesit të detyrës së drejtorit, z. Imer Hakaj.

Për këto 5 vite të detyrës sime isha i përkushtuar me tërë qënien time që ta bëj më të mirën e mundshme për memorizimin e periudhës më të dhimbshme, por edhe më të lavdishme të Kosovës.

Punët e mia kanë qenë të lidhura ngushtë me historinë dhe trashëgiminë tonë të çmuar. Përgjegjësia për të ndërtuar dhe ruajtur monumentet dhe memorialet ka qenë një sfidë e madhe, ku shpeshherë u përballa me shqetësime të ndryshme, prej keqkuptimeve, presioneve e deri te shantazhet, por me përkrahjen e ekipit tim të mrekullueshëm, kemi arritur t’i tejkalojmë ato dhe të sjellim rezultate të shkëlqyera.

Prandaj, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për stafin e jashtëzakonshëm të AMMKM-së, të cilët me edukatën njerëzore, profesionalizmin e lartë dhe pasionin për punë kontribuan që edhe unë të përfundoj këtë mandat me sukses dhe krenari. Këtë e dëshmojnë edhe vlerësimet e punës nga institucionet përgjegjëse, ku secili vlerësim vjetor ka kaluar pa asnjë vërejtje.

Jam i vetëdijshëm që nuk kemi arritë të bëjmë më të mirën e dëshirueshme, megjithatë jam i lumtur dhe krenar që kemi arritur t‘i realizojmë disa projekte që i kanë munguar Kosovës dhe përmes tyre u kemi kthyer buzëqeshjen dhe krenarinë shumë familjeve gjithandej Kosovës.

Ndërsa, fjalët e përzemërta mirënjohëse dhe falënderuese që kam pranuar pas përfundimit të projekteve nga qytetarët, familjarët dhe shokët e Dëshmorëve dhe Martirëve të luftës në Kosovë, për mua janë pasuri e veçantë shpirtërore!

Jam tejet i lumtur që kam lënë gjurmë në këtë fushë dhe jam i bindur se kjo punë do të vazhdojë të vlerësohet dhe respektohet.

I nderuar z.Hakaj, ju uroj nga zemra punë të mbarë, të sukseseshme dhe me nder në AMMKM!

E ju shumë të dashur kolegë te Agjencisë, ju falënderoj përzemërsisht për respektin që keni treguar dhe për përkushtimin e jashtzakonshëm për të bërë më të mirën e mundeshme për Kosovën dhe familjet që dhanë më së shumti për lirinë e Kosovës!

Në fund, por jo më pak rëndësi, falënderoj familjen dhe shoqërinë time për mbështetjen dhe inkurajimin që më kanë dhënë gjatë gjithë kësaj periudhe.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat