Njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci ka deklaruar se nuk ka gatishmëri nga pala kosovare dhe ajo serbe sa i përket arritjes së ndonjë rezultati përfundimtar në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.
Këtë deklaratë Koci e bëri duke iu referuar edhe takimeve të sotme dypalëshe të mbajtura në Bruksel mes Emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe dy kryenegociatorëve, Besnik Bislimi e Petar Petkoviç.
“Është evidente që nuk ka gatishmëri nga të dyja palët për të dalë nga një qark magjik i cili është krijuar në këto bisedime por sidomos nuk ka gatishmëri nga pala serbe. Do të thotë ka shumë sinjale nga Beogradi që vijnë gati çdo ditë që nuk duan marrëveshje, nuk e pëlqejnë marrëveshjen franko-gjermane dhe bëjnë çmos që atë ta minojnë dhe janë shumë konsekuent në këtë”, tha Koci.
Madje sipas njohësit të çështjeve politike, masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka marrë kundrejt Kosovës nuk kanë prodhuar asnjë efekt, përkundrazi, Koci tha se me këtë veprim është inkurajuar Serbia që ta vazhdojë lojën e minimit të marrëveshjes franko-gjermane.
“Qëndrimi i Bashkimit Evropian për ta shkëputë Shtetet e Bashkuara nuk ka qenë korrekt, masat që i janë ndërmarrë mbi Kosovën, presioni mbi Kosovës sot tregon që nuk ka prodhuar asnjë efekt, sepse jo se Kosova ka bërë ndonjë rezistencë të fuqishme por për faktin që ato masa si duket kanë nxitë, kanë inkurajuar Serbinë, kanë krijuar iluzioinin te Serbia se mund të vazhdojnë lojën e minimit të marrëveshjes franko – gjermane. Marrëveshja franko -gjermane është eveidente që Serbia nuk e do, Kosova duket se insiston në sekuensim të cilën pala serbe, përmes kësaj palës serbe i jepet mundësia që ta bëjë ta ketë pretekst për të shmangur hyrjen në tema qendrore të dialogut”, tha ai.
Derisa theksoi se përveç palës serbe edhe Kosova nuk po ka gatishmëri për të vazhduar tutje me marrëveshjen.
“Më duhet të them edhe një gjë, kohëve të fundit fitohet përshtypja që edhe Kosova nuk ka gatishmëri të madhe për të ecur përpara me këtë marrëveshje. Tani a është në pyetje fakti që pala serbe praktikisht e refuzoi marrëveshjen dhe nuk u sanksionua, madje as nuk u qortua apo edhe te pala kosovare mbase edhe te pala ynë ka rezerva për pjesë të caktuara të planit supozoj që problem është te Asociacioni. Ato kanë ekzistuar prej çastit që në tryezë është prezantuar plani franko-gjerman, ai është prezantuar edhe më herët para tetorit, do të thotë ka rezerva edhe nga pala kosovare disa janë të kuptueshme disa jo”, shtoi ai.
Ndryshe, në Bruksel kanë përfunduar takimet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve. Ende nuk ka prononcime për rezultatin e bisedimeve gjatë këtyre takimeve.
Edhe pse burimet e Bashkimit Evropian kishin thënë se synim ishte që delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të takohen edhe mes vete, një takim trilateral nuk ka ndodhur.