Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti thotë se është evidente që situata në veri është më e shtensionuar.
Ai ka shtuar se tani është e udhës që palët t’i kthehen dialogut.
“Ka qenë e qartë që reagimi i policisë ka qenë reaksion ndaj grupeve tashmë të shpallura terroriste, të cilat ishin një numër i caktuar i protestuesve përbrenda organizimeve që bëheshin në katër komunat në veri dhe në momentin kur u bën arrestimet e disa prej tyre dhe kur një pjesë e tyre u tërhiqen në Serbi, është e qartë tash po shihet që situata është më e shtensionuar, nuk është kritike siç ka qenë në ato ditët për të cilat po flasim. Kemi një dakordim mes zëvendëskryeministrit Bislimi dhe emisarit Lajçak, dakordim i cili veçse ka filluar të përmbushet nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe është e udhës të kthehemi te dialogu, te zbatimi i Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit”, ka thënë Ahmeti.
Ai shton se duhet të pyetet BE-ja pse masat e vendosura ndaj Kosovës nuk po hiqen, ndonëse janë arritur rezultate në deeskalim.
“Gjithashtu edhe masat të cilat ishin të padrejta, të pakuptimta, tashmë bëhen edhe më shumë të tilla dhe nuk ka arsye që ato të vazhdojnë. Kjo është një pyetje të cilën po e bëjmë edhe ne, e të cilës ne nuk mund t’i përgjigjemi, por mund t’i përgjigjet Bashkimi Evropian. Ka vetëm arsye që ato të hiqen dhe nuk ka arsye që ato të mbahen dhe nuk ka pasur asnjëherë arsye që ato të vendosen duke pasur parasysh që Kosova është vendi më demokratik në rajon, vendi i parë në rajon për sundimin e ligjit”, ka shtuar Ahmeti.
Në mesin e masave kundër Kosovës janë përmendur pezullimi i programit të fondeve për Kosovën, pezullimi i mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimi i pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimi i vizitave dypalëshe, etj.