Një zjarrfikës është lënduar gjatë përpjekjeve për të shuar zjarrin në objektin e ETC-së në Klinë, i cili në orët e hershme të mëngjesit të sotëm është përfshirë nga zjarri.
Zjarrfikësi i lënduar ka marrë ndihmë mjekësore.
Përveç Policisë, zjarrfikësve dhe pronarit të Elkos Group, Ramiz Kelmendit, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe kryetari i Klinës, Zenun Elezaj.
Si pasojë e zjarrit, nuk është raportuar për ndonjë punëtor të lënduar.
Ekipet e Policisë dhe të zjarrfiksëve janë ende në vendin e ngjarjes.
Zjarri i madh në ETC në Klinë, flet Ramiz Kelmendi
Afaristi i njohur dhe pronari i ELKOS Group, Ramiz Kelmendi ka folur rreth ngjarjes që ka ndodhur sot tek objekti i ETC-së në Klinë.
Kelmendi tha se para pak minutash e ka marr vesh ngjarjen nga shefi i sigurimit.
Kelmendi tha se zjarri ka ndodhur para se të hapet objekti për fillimin e orarit të punës.
“Vallai dhe mu më treguan pak më herët për ETC në Klinë. S’ka qenë e hapur marketi, pasi zjarri ka ndodh para se mu çel marketi. Shefi i sigurimit më tregoi që ka ndodh para orës 08:00. Nuk e di çka ka qenë shkaktari pasi para 10 minutave e mora vesh. Për momentin ende nuk kam shku në vendngjarje”, ka thënë Kelmendi.
Një supermarket është djegur në mëngjesin e sotëm në Klinë. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili ka informuar se nuk ka persona të lënduar.
Ai ka bërë të ditur se po punohet për të lokalizuar zjarrin.
“Rreth orës 6:30 te mëngjesit te sotëm, Policia e Klinës është njoftuar nga sigurimi i objektit se objektin e qendrës tregtare, ETC, në Klinë e ka kapluar zjarri. Menjëherë Polica dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka bërë të ditur ai.
Gashi ka shtuar se është kërkuar që të dalin në vendngjarje edhe njësitë e zjarrfikësve të Pejës, Istogut dhe Deçanit.