Parlamenti Evropian më 18 prill miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Zyrtarisht heqja e vizave për kosovarët pritët të bëhet me 1 janar të vitit të ardhshëm.
Qytetarët të cilët posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës, do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.
Por, së fundmi Kosova është goditur me disa sanksione për mos shtensionimin e situatës në veri nga Bashkimi Evropian.
A do të ndikojnë këto ndëshkime në shtyrje apo pengesë në liberalizimin e vizave?
Për këtë çështje ka folur kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi.
Krasniqi tha se ende nuk është marr ndonjë vendim karshi kësaj situate.
Sipas saj, shkaktari kryesor i zgjatjes së këtij procesi është Qeveria Kurti.
“Ne para disa ditëve kemi pasur në raportim ambasadorin e BE-së, ku kemi bërë pyetje për liberalizimin e vizave, është thënë që po shikohet se çfarë po ndodh me takimet e fundit që i kanë. Po presim pas deeskalimit se çfarë po ndodhë dhe shpresojmë që mos të ketë diçka për procesin e vizave se ky proces ka qenë i tej-zgjatur shkak edhe i kësaj Qeverie”, thotë deputetja e LDK-së.
Fajin për ikjen e të rinjve nga vendi, deputetja Krasniqi, e ka hedhur tek qeverisja aktuale.
Ajo thotë se mbas 1 janarit pritët të ketë largim të kosovarëve nga vendi.
“Gjatë kësaj qeverisje kanë ikur më shumë se 100 mijë qytetarë, rinia po ikë dhe kjo është shqetësuese, por shqetësuese do të jetë edhe mbas 1 janarit, por është mirë me dalë edhe me parë qytetarët se qysh janë vendet evropiane dhe me parë që më mirë se vendi ynë nuk ka”, tha Krasniqi.