Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk arriti që në seancën e sotme ta miratojë në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128.
Në votim morën pjesë vetëm 59 deputetë dhe dy të tjerë që ishin të pranishëm.
Derisa mazhoranca e mbështeti këtë projektligj, kritik dhe kundër ishin deputetët opozitarë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi tha se ky projektligj ka për qëllim përmbushjen e objektivit kryesor për një administratë profesionale dhe të përgjegjshme në pajtim me standardet më të mira.
Kritik për këtë projektligj u shpreh deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, i cili tha se kjo nismë legjislative është e çuditshme dhe antikushtetuese.
Sipas tij, me këto veprime po tregohet se pushteti po bën gjithçka për të shkatërruar administratën shtetërore.
Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri se ky projektligj nuk rregullon pozicionin e zyrtarit publik, por është ligj që rregullon pozicionin politik dhe partiak në nivel të lartë.
Akuza për partinë në pushtet hodhi edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.