Fetoshi: Qeveria të insistojë te ndërkombëtarët për një garanci që serbët të marrin pjesë në zgjedhje

Aktuale

Fetoshi: Qeveria të insistojë te ndërkombëtarët për një garanci që serbët të marrin pjesë në zgjedhje

Më: 27 korrik 2023 Në ora: 19:18
Arben Fetoshi

Profesori universitar, Arben Fetoshi thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta bind Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se hapat që ndërmerr janë serioze drejt riorganizimit të zgjedhjeve.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet gjithashtu të marrë një garanci nga faktorët ndërkombëtarë se qytetarët serbë do të marrin pjesë në zgjedhje.

Në të kundërtën, Fetoshi vlerëson se nëse situata vazhdon njëjtë, mund të bëhet më e rrezikshme politikisht.

“Kosova duhet të tregojë seriozitet dhe të bind Bashkimin Evropian për reflektimin e saj sa i përket hapave që duhet të ndërmirren në kuptim të deeskalimit të situatës në veri. Dhe ajo çka mendoj që është më e rëndësishme se kaq në këtë situatë, është që Qeveria jonë duhet të insistojë për një garanci nga ana e faktorit ndërkombëtar për pjesëmarrjen e qytetarëve serbë në zgjedhjet atje, për shkak se nuk e përjashtoj mundësinë që një lojë e tillë në qoftë se vazhdojmë dhe më tutje, mund të na qojë deri te një situatë absurde dhe shumë e rrezikshme politikisht, e që është caktimi i zgjedhjeve të parakohshme në veri dhe sërish bojkotimi nga ana e serbëve”, deklaroi ai në një lidhje direkte në “Ditari”.

Fetoshi potencoi se “Qeveria jonë duhet në një koordinim të plotë dhe në një qasje shumë serioze me SHBA-në dhe BE-në t’i krijojë kushtet sa më parë që është e mundshme për rimbajtjen e zgjedhjeve atje me garancinë që qytetarët serbë të marrin pjesë në ato zgjedhje”.

Krahas kësaj, ai shtoi se gjithashtu duhet të punohet në draftin për statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Pas një marrëveshjeje që arriti Kosova me BE-në më 10 korrik, Zveçani, Zubin Potoku, Leposaviqi dhe Mitrovica e Veriut pritet të shkojnë përsëri në zgjedhje në vjeshtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat