Për dy vite e gjysmë Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar vetëm një kontratë një burimore. Kështu ka thënë zëvendësministri i kësaj ministrie Hysen Durmishi, duke reaguar ndaj raportimeve dhe akuzave të partive opozitare se janë nënshkruar mbi 40.
Ai ka thënë se kontrata e vetme e nënshkruar ka qenë ajo për mirëmbajtjen e pistës së Aeroportit “Adem Jashari”.
“Vetëm një kontratë një burimore e kemi nënshkruar për këto dy vite e gjysmë sa janë bërë. Dhe ajo kontratë e negociuar ka të bëjë me ndërtimin e pistës së Aeroportit, e kemi nënshkruar për mbikëqyrje me një kompani amerikane, e cila e ka pas kontratën por i ka skadu në kohën e pandemisë. Të gjitha të tjerat janë kontrata për punë shtesë të cilat janë të lejuara me ligj”, tha Durmishi.
Ai ka thënë se ka ngritur kallëzim penal ndaj PDK-së e cila në një konferencë për media në prill të vitit 2022 kishte thënë se kjo ministri ka keqpërdor mbi 9 milionë euro në 42 kontrata të negociuara.