Tahiri: E mbyllën seancën për të na pamundësuar të flasim për aferën Zdravo

Aktuale

Tahiri: E mbyllën seancën për të na pamundësuar të flasim për aferën Zdravo

Më: 28 korrik 2023 Në ora: 11:28
Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se pushteti e mbylli seancën e sotme për ta pamundësuar diskutimin për atë që ai e ka quajtur aferën Zdravo.

Seanca e sotme e Kuvendit u mbyll pa filluar fare punimet. Munguan deputetët e pushtetit, rrjedhimisht nuk kishte kuorum. Me këtë rast, Kuvendi edhe i mbylli punimet për sesionin pranveror.

E në konferencë për media, Tahiri ka thënë se krejt kjo po ndodh pasi pushteti nuk do të diskutojë për sanksionet e skandalet e tjera.

“Ju ishit prezent edhe në mbledhjen e fundit të Kryesisë ku kërkuam debat për aferën Zdravo. Në atë mbledhje na u pamundësua që debati të ndodhte sot siç kërkuam për qartësi nga kryeministria e shefja e GP të VV-së për komunikimin me Radojçiqin. E mbyllën këtë seancë për të na e pamundësuar që të flasim për aferën Zdravo. E dyta që është shumë shqetësuese është për abuzimet që janë duke ndodhur në Ministrinë e Rozeta Hajdarit. Si Grup Parlamentar do të vazhdojmë të kemi angazhim të vazhdueshëm që vendin ta dërgojmë në zgjedhje. Kjo seancë qe u anulua sot mund të jetë edhe si rezultat i kërkesës së Radojçiqit. Janë po këta njerëz qe po na e pamundësojnë të bisedojmë për sanksionet. Kjo tendencë e mbylljes në mënyrë kaq të turpshme të seancës është për shkak se nuk duan të flasin për sanksion”, ka thënë Tahiri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat