Edhe zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, i ka dalë në mbrojtje gazetarëve pas gjuhës urrejtëse të partisë në pushtet dhe pas vendimit që rrezikon mbylljen e mediumit Klan Kosova.
Ajo ka deklaruar se demokracia pa media vdes.
“Një urrejtje e frikshme ndaj gazetarëve e partisë në pushtet e ka kontaminuar diskursin publik duke nxitur reagime destruktive të turmave ndaj medias.” ka shkruar Halimi.
Tutje, ajo ka deklaruar se qeveria e Kurtit po synon të ushtrojë “pushtetin popullist dhe etatist” pa e kuptuar publiku.
Postimi i plotë:
Liria e shtypit është e arritur e lirisë dhe demokracia pa media nuk funksionon, pra ajo vdes.
Një urrejtje e frikshme ndaj gazetarëve e partisë në pushtet e ka kontaminuar diskursin publik duke nxitur reagime destruktive të turmave ndaj medias.
Partia e Albin Kurtit e urren jo vetëm mendimin ndryshe dhe kritikën, por vet të menduarit sepse ai konsideron se pa gazetarët ose me disiplinimin ose rreshtimin e tyre mund ta realizojë ideologjinë e tij të majtë, që në thelb anon kah shkatërrimi ekonomik i vendit në emër të luftës kundër oligarkëve.
Të ushtrojë pushtetin popullist dhe etatist pa e kuptuar publiku.
Të sundoj me turmat, pa llogaridhënie, prandaj sulmon me kaq zell gazetarët e që në thelb është armiqësi, urrejtje e polarizim.
Një shumicë ideologjike me mendësi të tillë po e synon nënshtrimin e qytetarisë.
Thuani jo!
#megazetarët