Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) e ka vendosur në Listë të Zezë kompaninë “Europrint Group” SH.P.K..
“Europrint Group” SH.P.K. është sanksionuar nga Gjykata e Tenderëve për shkak të prezantimit të një dokumenti të rremë apo të falsifikuar në një proces tenderimi të inicuar nga Spitali i Gjakovës.
Afarizmi, i cili udhëhiqet nga biznesmenët Arbënor e Hajriz Zabeli, është diskualifikuar nga pjesëmarrja në tenderët publikë për tre muaj.
Diskualifikimi i kompanisë “Europrint Group” Sh.P.K. nga aktivitetet e prokurimit publik është urdhëruar nga OShP-ja pas kërkesës së Zyrës së Prokurimit të Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës.
“Aprovohet si e bazuar kërkesa e datës 17.05.2022 e Spitalit të Përgjithshëm ‘Isa Grezda’ – Gjakovë, e parashtruar në cilësinë e AK, për shkak të paraqitjes së të dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar nga OE”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Po ashtu, OSHP-ja ka urdhëruar Spitalin e Gjakovës që ta bëjë konfiskimin e sigurisë së tenderit për biznesin “Europrint Group” Sh.P.K..
Aksionarët kryesorë të “Europrint Group” Sh.P.K.: Hajriz, Arbënor dhe Albert Zabeli, janë po ashtu aksionarë në kompaninë simotër të regjistruar nën emrin e biznesit “EUROPRINTY” Sh.P.K..
Kjo kompani është regjistruar në vitin 2000, dhe ka përfituar miliona nga tendërët publikë në Kosovë.
Bazuar në të dhënat e platformës “Prokurimi i Hapur”, “EUROPRINTY” në pronësi të Hajriz Zabelit dhe djemve të tij ka përfituar 71 kontrata nga organizatat publike buxhetore..
Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, “EUROPRINTY” ka deklaruar kapital prej 8 milionë eurove.