Avokati i PDK-së, Faton Fetahu, ka folur në lidhje me vendimin e Kushtetueses Ligjin për Zyrtarët Publikë, duke thënë se kjo është edhe një betejë Kushtetuese e fituar.
Fetahu përmes një postimi në Facebook tha se janë rrëzuar përpjekjet e pushtetit.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës kumtoi njoftimin se Ligji Nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë, i propozuar nga kjo qeveri dhe i miratuar nga shumica parlamentare NUK e kaloi testin e kushtetutshmërisë. Këtë ligj, Grupi Parlamentar i PDK-së, nuk e ka kontestuar në tërësi por vetëm pjesërisht, prandaj shumica e dispozitave konkrete të cilat janë kontestuar, si të tilla, janë konfirmuar anti-kushtetuese. Konkretisht, u rrëzuan përpjekjet e pushtetit”, shkroi ai.
Ndër të tjera, ai tha se u rrëzuan përpjeket për të vënë kontroll mbi administratën shtetërore, siç u shpreh ai, duke centralizuar vendimmarrjen vetëm në duar të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Për të përligjur kriterin e “përshtatmërisë” (moral-politike) për t’u punësuar në administratën shtetërore. Për të privuar zyrtarët publikë nga e drejta e garantuar kushtetuese për ankesë në rast të ri-sistemimit. Për të larguar masivisht nga shërbimi publik zyrtarët të cilët nuk rizgjedhen në pozitat e ulta dhe të mesme drejtuese. Për të krijuar “listën e pritjes” me zyrtarët e përgjegjshëm e patriot të cilët zbatojnë ligjin dhe nuk i nënshtohen e servilosen pushtetit”, shkroi ai.
Ai u shpreh edhe se janë rrëzuar përpjeket për t’i hapur derën partizimit e politizimit të administratës shtetërore.
“Për të krijuar “bazën ligjore”, për të bërë largime masive nga administrata shtetërore të zyrtarëve të “papërshtatshëm” të këtij pushteti, të cilëve pas 9 muajve në “listën e pritjes”, do t’ju ndërpritej marrëdhënia e punës.Për t’i hapur derën partizimit e politizimit të administratës shtetërore, me militant partiak e politik, e me familjarë pushtetarësh”.
“Prandaj, jam i lumtur që bashkë me Përparim Gruda punuam bashkë për të ndërtuar rastin, argumentet e të cilit u konfirmuan të bazuara nga Gjykata Kushtetuese. Ndërkaq, si avokat dhe si Përfaqësues i Autorizuar i Grupit Parlamentar të PDK-së, ndihem i kënaqur dhe i lëhtësuar kur shoh vullnetin e plotë të deputetëve për t’i qëndruar besnik betimit që ata e kanë dhënë për të mbrojtur Kushtetutën dhe vlerat e saj. Prandaj, s’ka forcë që na ndalë për të luftuar dhe parandaluar shkelësit recidivist të rendit kushtetues”, thuhet tutje në shkrimin e tij.