Kurti: Rrugën drejt ardhmërisë na e kanë ndriçuar dëshmorët e kombit

Aktuale

Kurti: Rrugën drejt ardhmërisë na e kanë ndriçuar dëshmorët e kombit

Më: 7 gusht 2023 Në ora: 14:06
Albin Kurti

Është hapur ekspozita për kontributin atdhetar të familjes Lleshi, nga autorët Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci, në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Pjesë e hapjes së kësaj ekspozitë ishte edhe kryeministri Albin Kurti, i cili vlerësoi kontributin e familjes Lleshi për çlirimin e Kosovës.

Ai nënvizoi se Pavarësia e Kosovës i ka rrënjët në gjakun e dëshmorëve.

“Shënime të tilla janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për shënimin e historisë por edhe për të mos e humbur asnjëherë rrugën drejt ardhmërisë së ndritshme, e të cilën na e kanë ndriçuar dëshmorët e kombit të të gjitha luftërave dhe në veçanti do të theksoja luftën e fundit të UÇK-së”, tha ai.

Hapjen e kësaj ekspozite e mirëpritën edhe familja Lleshi, sipas të cilëve veprat e dëshmorëve nuk duhet t’i mbulojë pluhuri i historisë.

“Ata (dëshmorët) nuk kërkojnë shumë, ata nuk kërkojnë luks, por kërkojnë t’i kujtojmë, të punojmë dhe t’i respektojmë. Besoj se sot e kemi bërë një vepër të mirë ndaj tyre, jo aq sa e meritojnë, por siç po shihet e kemi qit në dritë veprat e tyre që mos t’i mbulojë pluhuri i historisë”, tha Gegë Lleshi.

Ndërkaq, njëri nga autorët e ekspozitës, Sadik Krasniqi, tha se familja Lleshi e ka kultivuar frymën atdhetare gjithmonë, derisa në vitet e ‘90-a luftuan heroikisht ndaj forcave okupatore serbe.

“Kjo familje ishte një ndër familjet më të njohura kombëtare dhe shqiptare në rajonin e Dushkajës, e cila nga gjiri vet nxori shumë burra dhe djem të zotë që kontribuuan për lirinë e atdheut. Ndër ta ishin Mark Lleshi me dy djemtë, Pashkun dhe Tunën, Dodë Lleshi me djalin Ndonë dhe duke vazhduar edhe me pasardhësit e tyre”, tha ai.

Hapja e kësaj ekspozite është bërë në 25 vjetorin e rënies heroike të Mark dhe Kolë Lleshi, të cilët ranë dëshmorë më 7 gusht 1998.

Kurse, një vit më vonë më 28 janar 1999 ranë dëshmorë në dyluftime edhe Prend dhe Memë Lleshi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat