Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka falënderuar politikanët e huaj të cilët i kanë kërkuar BE-së dhe SHBA-së të distancohen nga Serbia.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se arritjet e deritanshme, Kosova i ka falë ndihmës me aletatët, përkatësisht me SHBA-në.
“Falënderim i veçantë për ligjvënësit e Komiteteve të Punëve të Jashtme nga shtetet mike të Kosovës për letrën e dërguar zyrtarëve të lartë të Ëashingtonit, BE-së dhe Britanisë së Madhe në mbështetje të Kosovës. Arritjet e deritanishme si shtet i kemi falë ndihmës dhe bashkërendimit me aleatët tanë, me ShBA-të në veçanti. Ky akt është vulë e asaj se Kosova është euro-atlantike dhe se ky përkushtim do të jetë i përhershëm”, ka shkruar ai.
Politikanë të rëndësishëm të politikës së jashtme nga vende të ndryshme perëndimore i kanë bërë thirrje BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe që të jenë më kritikë ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiq në lidhje me përshkallëzimin e konfliktit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Përpjekjet e Serbisë për të prishur zgjedhjet demokratike në Kosovë duhet të denoncohen publikisht si ndërhyrje e huaj dhe duhet të ndërmerren veprime konkrete për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse,” thuhet në letrën e shkruar nga eksperti i Politikës së Jashtme të Bundestagut, Michael Roth, ai i Senatit të SHBA, Bob Menendez dhe kryetarët e komitetit të punëve të jashtme Republikës Çeke, Ukrainës, Irlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.