Thirrjes së disa politikanëve ndërkombëtarë drejtuar Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të qenë më kritikues ndaj Serbisë, i është bashkangjitur edhe Ukraina. Por sipas njohësit të çështjeve politike, Melazim Koci kjo nuk do të thotë që ky shtet do ta njoh shumë shpejt Kosovën.
Letra e nënshkruar nga kreu i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin ukrainas, Oleksandr Merezhko, sipas Kocit, tregon vetëm një hap drejt asaj rruge.
“Dhe veçanërisht kisha për ta potencuar qëndrimin e Ukrainës. Fakti që kryetari i Komisionit të politikës së jashtme të Parlamentit të Ukrainës nënshkruan këtë dokument, nuk do të thotë që Ukraina do ta njoh shumë shpejt pavarësinë e Kosovës, por tregon se është hap në atë drejtim”, deklaroi ai.
Meqenëse kësaj nisme i ka dhënë mbështetje shteti ukrainas, për Kocin është skandaloze që këtë ta refuzojnë Sllovakia, Greqia, Spanja e Rumania.
Ai vlerëson se kjo letër është “presion” edhe për këto shtete, për siç thotë ai, qëndrimet e tyre jokorrekte.
“Dhe kur këtë e bën një vend që është në një luftë të tmerrshme me Rusinë, atëherë është vërtetë skandaloze që një gjë të tillë ta refuzojnë, ta bëjnë tjerët siç është Sllovakia, Spanja, Greqia, Rumania, sepse janë vende që mbrohen nga NATO, janë në zonë gjeopolitike të NATO-s, do të thotë gëzojnë privilegjet e të qenit të sigurt nga ndonjë sulm i mundshëm, por nuk veprojnë në harmoni me interesat gjeopolitike të NATO-s, dhe kjo është për keqardhje. Dhe unë mendoj që kjo letër, dërguar pos Lajçakut dhe Borellit, ka të bëjë edhe me ta. Është presion ndaj qëndrimit të tyre shumë regjid, shumë jokorrekt dhe herët a vonë nuk e di nëse ato do ta korrigjojnë këtë qëndrim, por nëse jo, mendoj se kjo nismë sinjalizon një zhvillim të ri të kësaj pjese të Bashkësisë euroatlantike në raport me Kosovën”, shtoi Koci.
Politikanë të rëndësishëm të politikës së jashtme nga vende të ndryshme perëndimore i kanë bërë thirrje BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe që të jenë më kritikë ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në lidhje me përshkallëzimin e konfliktit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.