Shqetësim e pasiguri kanë krijuar tek qytetarët tri vrasjet që ndodhën vetëm brenda një javë në në Prishtinë, Klinë e Skenderaj.
Kështu po vlerëson njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi.
Për tri rastet e vrasjeve në Kosovë, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi ia lë fajin edhe gjyqësisë.
Kjo meqë sipas tij kjo hallk e sistemi të drejtësisë duhet t`i ashpërsojë dënimet.
“Policia dhe prokuroria, dhe gjykatat të cilat nganjëherë të cilat nganjëherë nuk po janë masa adekuate në shqiptimin e dënimeve gjyqësore që po janë më lehtësuese sesa që po është veprimi. Duhet të jemi më strikt në zbatim të ligjit, edhe në gjyqësi, por edhe policia duhet të ndërmarrë masa me qëllim që këtë dukuri të shëmtuar dhe të rëndë për qytetarët të Kosovës, të hiqet nga kjo mundësi e armëmbajtjes, pa nevojë të qytetarëve”, u shpreh Ibishi.
Mëngjesi i sotëm e gjeti Kosovën me një tjetër ngjarje tronditëse.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në Skenderaj është vrarë një 39-vjeçar.
Sipas Policisë në këtë rast të plagosur kanë mbetur edhe tre persona të tjerë.
Ndërsa, të dyshuarit për vrasjen janë në arrati.
Vrasja tjetër ka ndodhur më 7 gusht në Klinë. Rasti ka ndodhur po ashtu në një nga lokalet e këtij qyteti.
Ndërkaq, të premten e 4 gushtit mbeti një i vrarë, e 7 persona të lënduar nga arma e zjarrit. Ndërsa 13 persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave.