Deputetja britanike, Alicia Kearns ka deklaruar se ka mungesë të plotë të ekuilibrit në marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Kosovën.
Kështu është shprehur ajo në rrjete sociale, pas deklaratave të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, ku kishte kritikuar Kosovën për mungesë të sjelljeve evropiane.
Deputetja britanike po ashtu ka shpërndarë videon me deklaratën e zëdhënësit të BE-së, e ku ka renditur edhe disa fakte të sjelljeve joevropiane të Serbisë, që nga pushtimi rus i Ukrainës.
“Zëdhënësi i BE-së tregon mungesën e plotë të ekuilibrit në marrëdhëniet e BE-së me Kosovën. Të thuash që Kosova ka ‘paaftësi për t’u sjellë në mënyrë evropiane’ është një keqinterpretim i rëndë, por më pas të mos përmendësh veprimet e Serbisë në listën e dhënë më poshtë?”, ka shkruar ajo derisa ka etiketuar diplomatin evropian Josep Borrell.