Arrestimi i Mujecit në Shqipëri, reagon shefi i asambleistëve të PDK-së në Prishtinë

Aktuale

Arrestimi i Mujecit në Shqipëri, reagon shefi i asambleistëve të PDK-së në Prishtinë

Më: 15 gusht 2023 Në ora: 12:57
Leotrim Retkoceri, shef i asambleistëve të PDK-së në Prishtinë

Leotrim Retkoceri, shef i asambleistëve të PDK-së në Prishtinë, ka reaguar pas arrestimit të asambleistit të Vetëvendosjes në Prishtinë, Besnik Mujeci.

Ai thotë se është jashtëzakonisht shqetësuese se kush e përfaqëson votën e prishtinasve nga radhët e VV-së.

Retkoceri pret “superparaqitje” të ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla.

“Me 10 mijë doza drogë qenka kapur në Shqipëri, Besnik Mujeci, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, në vlerë prej 400 mijë euro. Është jashtëzakonisht shqetësuese kush e përfaqëson votën e prishtinasve nga radhët e VV-së. Dejona Mihali besoj ka për të thënë diçka edhe për këtë. E presim edhe një supërparaqitje të Xhelal Sveçlës. Në Kosovë, besnikët e Vetëvendosjes nuk zihen kurrë, sepse pushteti i mbron. Ata tregtojnë lirshëm dhe rriten e bëhen dilerë të mëdhenj, si ky asamblist, saqë i kalojnë edhe kufijtë. Besoj, Besniku sot i ka bërë krenarë të gjithë Lëvizjen e tij, por jo edhe ata qytetarë të cilët, fatkeqësisht, ia kanë besuar votën!”, shkruan ai.

Besnik Mujeci u arrestua për trafikim të drogës të llojit ekstazi MDMA.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka dhënë detaje për operacionin e koduar “PUNISHER 2”, në kuadër të të cilit u godit një grup kriminal që trafikonte nga Kosova në Shqipëri dhe shpërndante lëndë narkotike.

Në pranga ranë pesë persona, dy prej të cilëve shqiptarë të Kosovës ndërsa u sekuestruan 11 300 tableta ekstazi MDMA me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro. Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën e drogës.

Nga hetimet ka rezuluar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, ato transportoheshin me makina të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat