Kush i nxori mbrëmë informacionet konfidenciale lidhur me bastisjen e sotme për dallaveret me rezervat shtetërore?

Aktuale

Kush i nxori mbrëmë informacionet konfidenciale lidhur me bastisjen e sotme për dallaveret me rezervat shtetërore?

Më: 18 gusht 2023 Në ora: 18:26
Mahmut Halimi

Aksionet e Policisë dhe Prokurorisë janë konfidenciale dhe mbrohen me ligj sa herë organet e hetuesisë veprojnë sikur në rastin e arrestimit të tre të dyshuarve –  Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi – për dallavere me  rezervat shtetërore.

Mirëpo, Mahmut Halimi, avokat i të arrestuarit Ridvan Muharremi, ka deklaruar sot se kanë pasur informacione për bastisje para se aksioni të niste sot në mëngjes.

Ai ka thënë se informacionet i kishin marrë qysh mbrëmë se do të ketë bastisje.

“Qysh mbrëmë në ora 23:15, disa persona kanë thënë se do të ketë bastisje”, ka deklaruar sot avokati Halimi.

“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një sqarim nga avokati Halimi, por i njëjti nuk ka pasur qasje në telefonin e tij.

Aksioni i Policisë dhe Prokurorisë ka nisur sot në orën 6 të mëngjesit në dy lokacione.

Ministria që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari i ka mirëpritur hetimet e Prokurorisë Speciale për rezervën shtetërore dhe u ka bërë thirrje organeve të hetuesisë të mos cenojnë sigurinë kombëtare gjatë hetimeve.

E fundit ka reaguar edhe Vjosa Osmani, Presidente e Republikës, e cila ka thënë se duhet pritur përfundimin e punës së organeve të drejtësisë lidhur me arrestimet e sotme të tre të dyshuarve për përfshirje në dallavere me rezervat shtetërore.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se tre të arrestuarit e sotëm –  Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi – janë ndaluar për 48 orë derisa është paralajmëruar se do të kërkohet masa e paraburgimit ndaj të dyshuarve.

Kryeministri Albin Kurti ka premtuar se do të ketë deklaratë gjatë ditës për arrestimin e tre të dyshuarve se janë përfshirë në dallavere me rezervat shtetërore.

Bastisjet janë zhvilluar pas publikimit të disa audio-incizimeve në media, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia nuk iu bashkua rezervës shtetërore. Sipas atyre incizimeve, njësoi ndodhi edhe me një pjesë të grurit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat