“Jam ngut”, reagon qytetari që deklaroi se i arrestuari në MINT është dhëndër i Bedri Hamzës

Aktuale

“Jam ngut”, reagon qytetari që deklaroi se i arrestuari në MINT është dhëndër i Bedri Hamzës

Më: 19 gusht 2023 Në ora: 16:44
Bedri Hamza

Pasi kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza ka hedhur poshtë deklarimet se njëri nga zyrtarët e MINT-it është dhëndri i tij, qytetari Qëndrim Krasniqi që shpërndau këtë deklaratë, ka kërkuar falje.

Në një postim në Facebook, Krasniqi ka thënë postimin e ka bërë pa e verifikuar afërsinë që personat e përmendur kanë pasur.

“Kërkoj falje për informacionin e gabuar në një postim timin për rastin e Irfan Lipovicës. Që moti kam mendu se Valentina Hamza është mbesa e Bedri Hamzës sepse në Ministri ajo iu ka referu me axha Bedri. Prandaj, më vjen keq që jam ngut dhe e kam ba postimin pa e verifiku afërsinë në mes personave të apostrofum”, ka shkruar ai.

Hamza, i ka hedhur poshtë deklarimet se i arrestuari i djeshëm, zyrtar në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i cili dyshohet për keqpërdorime të blerjeve të rezervave shtetërore, është dhëndri i tij.

Sipas tij, Qëndrim Krasniqi ka shpifur, teksa ka paralajmëruar se nëse ai nuk e tërheq deklaratën e tij, do të padisë atë.

Dje organet e rendit në Kosovë, me urdhrin e Prokurorisë Speciale kanë arrestuar drejtorin e Departamentit të rezervave shtetërore, Hafiz Garën, drejtorin e Departamentin për Integrime Evropiane, Irgan Lipovica, si dhe afaristin Ridvan Muharremin, nën dyshimet se kanë bërë keqpërdorime sa u përket blerjeve të rezervave shtetërore.

Me vendim të Gjykatës, tre të arrestuarve iu është caktuar edhe masa e paraburgimit prej një muaji. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat