Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pretendon se ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka dhënë një pronë në Vushtrri për 10 vite, për shfrytëzim nga një person fizik, e që më pas janë njoftuar se kontrata është lidhur pa asnjë bazë kushtetuese e ligjore.
Sipas saj, Prokuroria Speciale ka hedhur poshtë kallëzimin penal me pretekstin se nuk ka shkelje penale dhe nuk ka dëme të shkaktuara.
“Sot ndodhem në Vushtrri në njërën nga pronat e Ministrisë së Drejtësisë. Në vitin 2020, ish-ministri i Bujqësisë dhe ish-drejtori i burgjeve, kishin dhënë pronën publike prej 2 hektarësh 12 ari e 17 metra, në shfrytëzim për 10 vite për një person fizik. Sapo kemi kuptuar për këtë, kemi kërkuar nga auditori i Ministrisë së Drejtësisë, që ta auditoj procesin se si është dhënë prona publike në shfrytëzim tek një person fizik. Nga të gjeturat e auditorit të brendshëm jemi njoftuar se kontrata është lidhur pa asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore mes ish-bartësve të institucionit publik dhe personit fizik. Pas raportit të auditorit kemi anuluar njëanshëm kontratën e paligjshme dhe vendimi ynë është vërtetuar si i drejtë dhe i ligjshëm nga Gjykata Themelore në Mitrovicë. Para më shumë se dy vitesh kemi bërë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj ish-ministrit të drejtësisë dhe në vend të ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Speciale ka nxjerrë aktvendim për hedhjen e kallëzimit penal me arsyetimin se nuk ka shkelje penale dhe pasi që nuk ka dëme të shkaktuara”, thotë Haxhiu përmes një videoje të postuar në Facebook.
Më tej, Haxhiu deklaron se Prokuroria Speciale nuk është marrë me personat e duhur për shkeljen e ligjit, duke theksuar që ata zgjodhën të merreshin me auditorin e brendshëm.
“Sepse tashmë ish-objekti sic njihej “Hoteli Vicianum”, është rrënuar në mënyrë të kundërligjshme. Me këtë veprim Prokuroria Speciale ka krijuar një precedent të rrezikshëm, pasi që sipas tyre rrënimi i objekteve publike nga personat fizik nuk është vepër penale. Në vend se Prokuroria të merrej me ata që e kanë shkelur ligjin dhe kanë dëmtuar interesin publik, ata kanë zgjedhur të merren me auditorin e brendshëm i cili ka mbrojtur pronën publike”, ka shtuar tutje Haxhiu.
Teksa në përfundim, ministrja e Drejtësisë, tregon se në Prokurori dhe Polici kanë bërë shumë denoncime të tjera, por që deri më tani nuk kanë pasur asnjë lëvizje nga ana e institucioneve.