PDK-ja përjashton 3 anëtarë që bashkëpunuan me LVV-në në Gjilan

Aktuale

PDK-ja përjashton 3 anëtarë që bashkëpunuan me LVV-në në Gjilan

Më: 25 gusht 2023 Në ora: 16:14
PDK

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë së Partisë, në të cilën u diskutua për aktualitetin politik në vend, përfshirë “skandalet dhe aferat e njëpasnjëshme të Qeverisë”.

Ndër të tjera, Kryesia e PDK-së ka njoftuar se ka përjashtuar nga partia disa anëtarë të saj të Degës në Gjilan, të cilët nuk e kanë respektuar vendimin e Këshillit Drejtues të kësaj partie për të shkëputur bashkëpunimin institucional me kryeministrin, presidenten dhe me Lëvizjen Vetëvendosje.

“…si rezultat i mosrespektimit të këtij vendimi nga disa anëtarë të saj nga Dega në Gjilan, në mbledhjen e sotme ka vendosur që të përjashtojë nga të gjitha strukturat e saj, tre anëtarë: Leonora Morina – Bunjakun, Enver Shabanin dhe Bajram Isufin. Zyrtarët e përjashtuar nuk kanë zbatuar qëndrimet partiake dhe vendimin e Këshillit Drejtues të PDK-së edhe pas kërkesës me shkrim të datës 31 korrik 2023, të komunikuar zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, dhe kanë vazhduar të shërbejnë në Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Gjilanit, përkundër prishjes së koalicionit kohë më parë”, ka thënë PDK-ja në komunikatë.

Këshilli Drejtues i PDK-së, në mbledhjen e  mbajtur më 3 korrik 2023, kishte marrë vendim për pezullimin e çdo komunikimi zyrtar dhe ndërprerjen e bashkëpunimit institucional me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani – Sadriu, si dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat