Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se të enjten kanë përfunduar procedurat e pagesës për grupin e parë të prindërve që kanë aplikuar deri më datë 29 gusht, për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore e që janë mbi 81 mijë përfitues.
Ministrja Nagavci ka shkruar në Facebook se numri i tërësishëm i aplikimeve deri tani është mbi 115 mijë dhe pjesa e mbetur do të trajtohen me grupin e radhës.
Sipas saj, nga të gjitha këto aplikime, janë identifikuar 75 raste me gabime për të cilat prindërit do të njoftohen për rishikimet e nevojshme.
“Sikurse kemi njoftuar edhe më herët, aplikimi do të jetë i hapur gjatë gjithë muajit shtator në mënyrë që të sigurohemi që asnjë nxënës për çfarëdo arsye të mos mbetet pa tekste shkollore. Ju sigurojmë se çdo rast i adresuar do të trajtohet me prioritet dhe do të ofrohet ndihma e nevojshme për aplikim dhe përfitim të këtyre mjeteve”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Ministrja e Arsimit javën e kaluar ka marrë vendim për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore.