Artan Qerkini, avokati i ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, ka konfirmuar se klienti i tij është liruar nga paraburgimi dhe kjo masë është zëvendësuar me masën e dorëzanisë në vlerën prej 50 mijë euro.
“Po është liruar me vendim të Gjykatës. Paraburgimi është zëvendësuar me masën e dorëzanisë prej 50 mijë euro”, ka thënë Qerkini.
Prokuroria e Ferizajt, në dhjetor të vitit 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj dymbëdhjetë (12) personave të pandehur në rastin “Brezovica 1”.
Aktakuza ishte ngritur edhe ndaj ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq dhe 11 personave të tjerë.
Nikoliq akuzohej se ka përfituar kundërligjshëm mbi 1 milion euro, vetura luksoze e tri vikend-shtëpiza në Brezovicë.
Po ashtu, ai akuzohej për katër vepra penale: Keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit dhe për armëmbajtje pa leje.
Sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, prokuroria e akuzon Nikoliqin se nga viti 2013 deri në dhjetor 2021, në Shtërpcë ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror, duke mundësuar dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në Zonën e tretë dhe të dytë.