Në përmbledhjen javore, Përfaqësuesi Special për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka treguar për takimet dhe kërkesat që u ka shtruar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kurtit i ka kërkuar “zbatim të deklaratës së 3 qershorit” si dhe për “shqetësimet për situatën në veri”; ndërkaq Vuçiqit, i ka kërkuar që të bëjë pjesën e tij për shtensionim të gjendjes në veri, zgjedhjet e reja pa bojkotim të serbëve si dhe “zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut”.
Ndërkaq “të dyja palëve”, tregon Lajçak, u ka kërkuar që “të zbatohen të gjitha marrëveshjet pa ndonjë kusht dhe pa vonesa”.
“Në Bled takova Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Biseduam për përgatitjet për takimin e Nivelit të Lartë të Dialogut në shtator, me përqendrim në normalizim të marrëdhënieve dhe zbatimin e Deklaratës së Bashkimit Evropian të 3 qershorit. Gjithashtu i ngrita shqetësimet e mia për situatën në veri”, ka shkruar Lajçak për takimin me Kurtin.
“Nga Bledi, fluturova për në Beograd, ku u takova me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Biseduam në hollësi për përpjekjet për të zbutur tensionet dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, si edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve”, shkroi Lajçak për takimin me Vuçiqin.
Ndërkaq, Lajçak vazhdon të thotë se të gjitha Marrëveshjet e Dialogut mbeten “valide dhe të detyrueshme” për palët dhe “duhet të zbatohen plotësisht pa ndonjë kusht dhe vonesë”.
Krejt në fund, Miroslav Lajçak thotë se po vazhdojnë të bëhen gati për takimin e Nivelit të Lartë në Bruksel ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit.
14 shtatori do t’i gjejë Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takim në Bruksel, pas më shumë se katër muajve që nga takimi i fundit.