Media dje gjatë ditës ka siguruar një video incizim ku shihen dy vajza duke u futur në një veturë të Policisë së Kosovës.
Rasti ka ndodhur më datë 5 shtator rreth orës 23:30, saktësisht në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj.
Nga Policia e Kosovës për indeksonline konfirmojnë se, mbrëmë menaxhmenti i Policisë së Stacionit në Ferizaj ka nisur grumbullimin e informatave fillestare për këtë rast.
Siç theksojnë nga PK, brenda veturës së Policisë ndodheshin tre policë që ishin në krye të detyrës zyrtare duke patrulluar.
Tashmë janë marrë edhe deklaratat e tre policëve, dy meshkuj dhe një femër.
“Ju njoftojmë se menaxhmenti i policisë së stacionit në Ferizaj, në lidhje me videon e dërguar nga ana juaj, mbrëmë ka nisur grumbullimin e informatave fillestare, ka marrë deklaratat e tre policëve (dy meshkuj dhe një femër) që ishin në kryerje të detyrës zyrtare, duke patrulluar me veturë zyrtare me datën 05.09.2023, rreth orës 23:30 në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, ku shihen dy qytetarë (vajza) duke u futur në veturën e policisë”, thuhet në përgjigjen e PK-së.
Në lidhje me rastin është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës.
“Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), sipas detyrës zyrtare ka iniciuar rastin në fjalë dhe është në fazën e grumbullimit të informacioneve”, konfirmon për Indeksonline zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka.