Blerim Vela, shef kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, ka folur sot në Edicionin Special të Klan Kosovës rreth takimit të presidentes me Sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ai ndër të tjera foli edhe për bashkëpunimin mes institucioneve kosovare të sigurisë dhe KFOR-it e NATO-s.
“Ka disa mekanizma me të cilët realizohet ky bashkëpunim mes Kosovës, institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe NATO-s, pra ekziston një komponentë e veçantë e cila ka për bazë ngritjen e kapaciteteve edhe të ministrisë së Mbrojtjes, e po ashtu edhe FSK-së, ato ushtarake që kanë të bëjnë me kapacitetet e FSK-së që të jenë në përputhje me standardet e NATO-s”.
“Pra është një ekip këshillues dhe ndërlidhës që funksionon brenda ministrisë së Mbrojtjes”.
“Pastaj është komunikimi dhe koordinimi rregullit që bëhet me KFOR-in në terren”.
“Javëve të fundit kemi parë thellim të mëtutjeshëm të këtij bashkëpunimi dhe koordinimi mes policisë së Kosovës e KFOR-it, dhe ka pasur realizimin e disa..për shembull operacioni i para disa ditëve ku janë gjetur disa armë në veri të vendit është realizuar në kooridnim mes policisë dhe KFOR-it”.
“Ka zotim nga institucionet e Kosovës që të ketë koordinim mes institucioneve të sigurisë dhe kjo është edhe në vazhdën e dakordësimit që është arritur në Bratislavë mes ndërmjetësit Lajçak dhe zëvendëskryeministrit Bislimi që ka rezultuar me vlerësimin e gjendjes së sigurisë në veri”.
“Ato bëhen në intervale të rregullta mes policisë dhe Eulexit dhe KFOR-it dhe pastaj nxirren vendimet në varësi nga situata në terren dhe rreziqet që vlerësohen ndaj situatës në terren dhe ndaj paqes dhe stabilitetit, e pastaj ndërmerren hapat e mëtejmë”.