Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka konfirmuar se është intervistuar pasditen e kësaj të premte nga Policia e Kosovës në cilësinë e dëshmitarit.
Ai ka bërë të ditur se intervistimi i tij është bërë lidhur me rastin e ndalimit të tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Ky rast ndërlidhet me nënshkrimin e disa kontratave mbi vepër, të cilat ne si qeverisje i kemi trashëguar nga qeverisja e kaluar.
Sipas kërkesave të drejtorive përkatëse, këto kontrata mbi vepër kanë qenë pozicione të domosdoshme për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar Zogaj në Facebook.
Ai tutje ka thënë se institucionet e rendit dhe të drejtësisë janë duke e trajtuar këtë rast dhe “ne mbesim në dispozicion e tyre, që rasti të trajtohet në plotni në pajtim me legjislacionin në fuqi”.