Hakmarrja – motiv i krimit në Podujevë? Personi i arrestuar ishte rrahur dhe plagosur vjet nga ‘Dhija’ me shokë

Aktuale

Hakmarrja – motiv i krimit në Podujevë? Personi i arrestuar ishte rrahur dhe plagosur vjet nga ‘Dhija’ me shokë

Më: 12 shtator 2023 Në ora: 09:34
Valmir Breznica dhe Arsim Syla

Podujeva të hënën u trondit nga vrasja e rëndë që ndodhi në pikë të ditës, në rrugën “Zahir Pajaziti”. Një person e shndërroi atë pjesë në skenë krimi, pasi që plumbat që u shkrepën nga dy armët e lanë të vdekur 34-vjeçarin, Valmir Breznica dhe të plagosur bashkëshorten e tij.

Një person që dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, Arsim Syla, tashmë është arrestuar, teksa dorasi akoma nuk është kapur.

Hakmarrja – motiv i krimit të rëndë?

I dyshuari që ra në prangat e Policisë dhe personi që mbeti i vrarë njiheshin prej kohësh dhe sipas informacioneve të para, dyshimet lidhen me hakmarrje. Syla, që u arrestua mbrëmë, ishte plagosur dhe sulmuar vitin e kaluar nga disa persona, në mesin e të cilëve ishte edhe i vrari, Breznica.

Gazeta ka raportuar në qershor të vitit 2022 se rasti kishte ndodhur në parkingun ‘Park Plazza’ në Podujevë, ku Arsim Syla, tashmë i dyshuar, pësoi plagë të rënda, si pasojë e incidentit për shkak të një konflikti që datonte prej kohësh.

Breznica ishte arrestuar dy muaj më vonë, pasi Policia e kishte shpallur në kërkim lidhur me këtë rast. Ai dyshohej se ishte përfshirë në rrahjen e Sylës, teksa dikush tjetër e kishte plagosur atë. Në fillim të gushtit të po atij viti, 34-vjeçari kishte përfunduar në ndalim policor, nën dyshimet për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.

Pas më shumë se një viti, Breznica u vra dhe gisht në ekzekutimin e tij, ka Arsim Syla, të cilin ai dyshohej se e kishte rrahur.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ekzekutimi i të riut, që njihej me nofkën “Dhija” ka ndodhur si në filma. Të shtënat tragjike nga dy armët që i përdori i dyshuari kryesor e lanë të vdekur në vend, pasi u qëllua rreth 8 herë.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari që e vrau viktimën, e ka gjuajtur fillimisht disa herë me njërën armë e më pas ka nxjerrë armën tjetër, duke e gjuajtur sërish, plumba këta që ishin tragjik për Breznicën.

Kush dyshohet se e ndihmoi dorasin për ta kryer veprën?

I dyshuari që tashmë është arrestuar, Arsim Syla, ka qenë bashkë me dorasin pak para se të ndodhte krimi, duke e planifikuar vrasjen e 34-vjeçarit, i cili mbeti i vdekur në vend nga të shtënat me armë zjarri.

Të njëjtat burime thonë se Policia ka kryer edhe bastisje në shtëpinë e tij në fshatin Gllamnik dhe i njëjti më pas është prangosur e shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për të zbardhur rrethanat e rastit tragjik.

Për këtë rast tragjik janë deklaruar edhe sot nga Policia e Kosovës, me ç’rast e kanë konfirmuar arerstimin e të dyshuarit dhe bastisjen që është kryer.

“Lidhur me rastin, pas pranimit të informatave për të shtëna me armë zjarri, njësitë policore dhe ekipi i emergjencës kanë vazhduar në lokacionin e cekur me ç’rast në vendngjarje është konstatuar se viktima mashkull kosovar ishte pa shenja jete, ndërsa viktimës femër  pasi i është dhënë ndihma mjekësore është dërguar për hospitalizim në QKUK.

Në lidhje me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, nën dyshimin e bazuar se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e veprës së lartcekur bashkë me të dyshuarin i cili dyshohet se kishte kryer vrasjen dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Po ashtu lidhur me rastin njësitë policore të shoqëruara nga prokurori kujdestar gjatë bastisjes në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të  personit të arrestuar kanë gjetur dhe konfiskuar: një pistoletë me katër karikatorë dhe gjashtëdhjetë e dy (62) fishekë, një pushkë gjuetie me dylbi, njëzet fishekë (20), dy antiplumba dhe një veturë me targa të huaja. Me aktvendim të prokurorit kujdestar, i arrestuari është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër ndodhet në arrati. Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti nën procedurë hetimore.”, thuhet në njoftimin që ka lëshuar Policia sot.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat