11 vrasjet në dhjetë muajt e fundit që tronditën Kosovën?

Aktuale

11 vrasjet në dhjetë muajt e fundit që tronditën Kosovën?

Më: 12 shtator 2023 Në ora: 12:07
Vendi i ngjarjes i vrasjes në Podujevë

Kosova në 10 muajt e fundit të vitit është tronditur nga dhjetëra vrasje të cilat kanë ndodhur, nga 30 dhjetori i vitit 2022 deri me datën 11 shtator të vitit 2023.

Më poshtë mund t’i lexonin të gjitha vrasjet që kanë ndodhur nëpër qytetet të ndryshme të Kosovës.

Rreth orës 12:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur. Aktualisht policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve”, thuhet në njoftimin e plotë të zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Më datën 3 shator të vitit 2023, një person në Prizren është vrarë para syve të familjes së tij.

“Rreth orës 18:46 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në lagjen Arbana. I dyshuari nga automjeti në lëvizje ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi tjetër. Është konstatuar vdekja e viktimës në vendin e ngjarjes. Viktima është mashkull shqiptar i moshës rreth 48 vjeçar dhe i dyshimti është rreth moshës 50-55 vjeçare. I dyshuari është në kërkim nga Policia. Policia bashkë me njësinë e forenzikës janë në vendin e ngjarjes”, e ka konfirmuar togeri i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Më datën 31 gusht të vitit 2023, Policia e Kosovës i arreston katër të  dyshuar  për vrasjen në Malishevë

Sot rreth orës 13:30 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore është dërguar në QKMF Malishevë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri në fshatin Balincë-Malishevë. Personeli mjekësor ka konstatuar vdekja e tij. Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit si dhe është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka dalë në vendin e ngjarjes, në konsultim me të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Deri më tani lidhur me rastin janë arrestuar katër persona të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në rast, si dhe është konfiskuar një armë”, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Më datën 10 gusht të vitit 2023, në Skenderaj, është vrarë një 39-vjeçar dhe janë plagosur tre të tjerë

“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor”, ishte shprehur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Sipas tij, bazuar në hetimet fillestare nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona. Njëri nga të lënduarit viktima N. L, 39 vjeçar ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar (po ashtu nga arma e zjarrit) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.

Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”, ka thënë Zahiti.

Më datën 7 gusht të vitit 2023, është vrarë një person në Klinë me armë zjarri, ku viktima dhe i dyshuari kishin lidhje familjare

“Një person nga plagët e marra nga arma e zjarrit ka ndërruar jete. Prokurori i krimeve te renda është ne vendin e ngjarjes. Ne koordinim me Policinë e Kosovës po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e personit te dyshuar te kësaj vrasje i cili gjendet ne arrati për momentin”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikqi.

Më datën 5 gusht të vitit 2023 kishte ndodhur një vrasje në “Bon Vivant”, po në të njëjtën ngjarje kishin mbetur te plagosur 6 të plagosur e 10 të tjerë të lënduar

“Më datën 04.08.2023 në orët e mbrëmjes, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë është njoftuar nga ana e Policisë së Kosovës, që në rrugën ‘Rexhep Luci’ në Prishtinë respektivisht në lokalin ‘Bon Vivant’, ka të shtëna me armë zjarri. Me të marrë informacionin, prokurori i shtetit bashkë me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ka konstatuar se si pasojë e të shtënave ka persona të plagosur. Është konstatuar se nga arma e zjarrit kanë rezultuar të plagosur 7 persona, ku njëri nga ta si pasojë nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës. Ndërsa 13 persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo nga gjësendet tjera. Të gjithë kanë kërkuar ndihmë mjekësore”, thuhet në njoftim e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Më datën 2 gusht të vitit 2023 ishte vrarë shtetasja argjentinase në Fushë-Kosovë, nga i dashuri i saj

“Fushë Kosovë 01.08.2023 – 01:59. Nga QKUK-ja është raportuar se ka ndërruar jeta viktima femër shtetase e Argjentinës si pasojë e lëndimeve të marra, që dyshohet se ka rënë nga një lartësi e objektit ku ka qenë duke qëndruar së bashku me te dyshuarin mashkull shtetas zviceran”, thuhet në raportin Policisë së Kosovës.

Më datën 21 korrik të vitit 2023 ishte vrarë një person i moshës 17- vjeçare në Viti

“Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, Stacioni Policor Viti me datën 20.07.2023 rreth orës 21:45 nga emergjenca e Vitisë ka pranuar informacion se një person i moshës rreth 17-vjeçar (mashkull, kosovar shqiptar) ka kërkuar ndihmë mjekësore pasi i njëjti dyshohej se ka pësuar lëndime të rënda trupore të shkaktuara nga një mjet i mprehtë. I njëjti pas tretmanit të marrë në emergjencën e Vitisë është transferuar në spitalin rajonal të Gjilanit ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekjen e viktimës si pasojë e plagëve të marra”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Më datën 25 qershor të vitit 2023,  kishte ndodhur një vrasje për tokë në Gjakovë, i dyshuari thotë se dy vëllezërit i vrau në vetëmbrojtje

Lumni Graishta drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës e ka konfirmuar se dy vëllezër janë varë në Gjakovë nga personat të pa identifikuar deri me tani.

Më datën 14 prill të vitit 2023 një grua ishte ekzekutuar në Pejë, kurse i dyshuar ishte djali i saj

"Sot rreth orës 16:00 policia ka pranuar një informatë për një ngjarje në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë. Policia është paraqit në vendngjarje dhe sapo ka arritur aty ka kuptuar se bëhet fjalë për një vrasje të rëndë dhe aktualisht ekipet tona janë në vendngjarje. Ekipet mjekësore kanë konstatuar vdekjen e viktimës aty derisa Policia e ka arrestuar të dyshuarin”, ka thënë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Më datën 24 janar të vitit 2023, në Kaçanik nga Policia e Kosovës ishte gjetur një burrë i moshës 48-vjeçar i vrarë në veturën e tij

“Me datën 23.01.2023 rreth orës 23:50 policia e stacionit në Kaçanik ka pranuar një informacion se në rrugën magjistrale Ferizaj–Kaçanik, në Kaçanik të Vjetër një automjet i udhëtarëve ishte jashtë rrugës. Policia e stacionit në Kaçanik menjëherë i ka marrë masat e nevojshme, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe policët kanë vërejtur se një person në ulësen e parë të shoferit dyshohej se ishte pa shenja jete. Janë njoftuar ekipet mjekësore të cilët kanë konstatuar se personi është pa shenja jete. Më pas policia ka pranuar një informacion tjetër se në fshatin Soponicë të Kaçanikut afër autostradës një automjet tjetër i udhëtareve ishte përfshirë nga flaka. Ekipet zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë shuar zjarrin.

Në lidhje me këtë policët hetues dhe krim teknikët e Sektorit Rajonal të Hetimeve , nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kanë marrë veprimet e nevojshme dhe menjëherë  i kanë nisur hetimet .

Nga hetimet e para, ekzaminimit të vendit të ngjarjes dyshohet se personi/persona të panjohur në Kaçanik të Vjetër nga afërsia kanë shti breshëri plumbash mbi automjetin dhe shoferin e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Jo larg vendit të ngjarjes në fshatin Soponicë të Kaçanikut është gjetur edhe një automjet tjetër i udhëtarëve i përfshirë nga flaka , ku ekziston dyshimi se personat e dyshuar pasi e kanë kryer vrasjen në Kaçanik të Vjetër i kanë vënë flakën automjetit dhe janë larguar.

Me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj trupi i pajetë i viktimës N.C (M/K) i moshës 48 vjeçar dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion .

Ekipe të Policisë Rajonale të Ferizajt nga sektorë të ndryshëm po punojnë vazhdimisht në grumbullimin e informacioneve në terren për të zbardhur sa më shpejtë rastin”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Më datën 30 dhjetor të vitit 2022, ishte vrarë një grua shtatzëne nga burri i saj para Gjinekologjisë në oborrin e QKUK-së.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35-vjeçare”.

“Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, rasti e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat