Përfundon bastisja në shtëpinë e dëshmorëve Falziu, Qerkini: ZPS mori disa dokumente

Aktuale

Përfundon bastisja në shtëpinë e dëshmorëve Falziu, Qerkini: ZPS mori disa dokumente

Më: 12 shtator 2023 Në ora: 12:58
Fahri Fazliu

Pjesëtarë të Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë kanë përfunduar bastisjen në banesën e dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu, prej ku i kanë marrë disa dokumente.

Avokati i familjes, Artan Qerkini tha se dokumentet e marra janë publike dhe se nuk ka pasur fare nevojë për bastisje të shtëpisë për të arritur deri tek këto dokumente. Derisa shtoi se nuk mund të japë detaje të tjera lidhur me atë se çfarë është bastisur.

Qerkini: Zyrtarët e Speciales i morën disa dokumente

"Rasti nuk është bërë i ditur, vetëm është thënë se për nevojat e procedurave të cilat janë duke u zhvilluar pranë Dhomave të Specializuara, ndërsa detajet të mëtutjeshme në lidhje me këtë nuk kanë dhënë... Nuk kanë kërkuar asgjë specifike, ata i kanë marrë disa dokumente të cilat janë publike, realisht nuk ka pas nevojë fare që te bastiset shtëpia për të ardhë deri te ato dokumente, sepse janë dokumente publike. Ato dokumente kanë mundur të arrihen me një kërkim të thjeshtë në institucionet publike. Trajtimi nga ata ka qenë korrekt, mirëpo me mënyrën e bastisjes kemi shumë vërejtje, sepse me bastisje cenohet privatësia... Është një, një rregullore e cila nuk na lejon që në këtë fazë të procedurës të jepen detaje në lidhje më hetimin”, tha ai.

Ai e ka quajtur të kot dhe të panevojshme bastisjen që po ndodh në shtëpinë e heronjve kombëtar, Bahri dhe Fahri Fazliut.

Sipas Qerkinit, Gjykata duhet të jetë më e kujdesshme në lëshimin e urdhrave për bastisje, sepse, siç tha ai, është cenim i privatësisë.

Qerkini: Ata nuk kanë sekuestruar asnjë provë të vetme

"Dhomat e Specializuara, sot kanë realizuar një bastisje në shtëpinë e heronjve kombëtar Bahri dhe Fahri Fazliu. Me ç'rast janë munduar që kinse të sekuestrojnë prova të cilat atyre ju nevojiten për procedurat e mëtutjeshme, mirëpo unë jam shumë i bindur se ata nuk kanë sekuestruar asnjë provë të vetme. Ka qenë një bastisje e kotë dhe humbje kohe për të gjithë ata. Konsideroj se Gjykata duhet të jetë më kujdesshme në lëshimin e urdhrave për bastisje, sepse cenohet privatësia, në anën tjetër siç ndodhi me rastin më konkret, nuk kanë sekuestruar asnjë provë me relevancë për procedurën penale dhe për procedurat të cilat janë në rrjedhë e sipër pranë Dhomave të Specializuara", tha Qerkini.

Kujtojmë se, bastisja ka filluar në orën 07:00 të mëngjesit nga pjesëtarët e EULEX-it dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat