Krejt çka ndodhi sot në mbledhjen e Qeverisë, këto janë të gjitha vendimet që u morën

Aktuale

Krejt çka ndodhi sot në mbledhjen e Qeverisë, këto janë të gjitha vendimet që u morën

Më: 13 shtator 2023 Në ora: 08:19 Përditësuar në ora: 12:29 më 13.09.2023
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 159-të të Qeverisë

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,

Qytetarë të dashur,

Të premten e javës së kaluar, në Heraklion të Greqisë, me 55 vota PËR, Kosova zyrtarisht u shpall nikoqire e edicionit të 21-të të Lojërave Mesdhetare, Prishtina 2030. 

Me mobilizimin e të gjithë kabinetit qeveritar dhe në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës, i kemi sjellë Republikës së Kosovës mundësinë për organizimin e ngjarjes më të madhe ndërkombëtare në historinë e vendit tonë.

Koncepti me të cilin e kemi shënuar këtë fitore është shumë i veçantë dhe në linjë me vizionin e Qeverisë sonë për zhvillimin e sportit në vend.

Në partneritet me Shqipërinë, po shënojmë edhe herën e parë që kjo ngjarje të organizohet në një vend që nuk ka dalje në det. Republika e Shqipërisë do të na mundësojë shfrytëzimin e bregdetit të Durrësit për sportin e lundrimit, i cili kërkon qasje në det.

Do të mirëpresim mbi 5000 sportistë nga 25 shtetet anëtare të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, duke përfshirë 18 shtete nga Evropa, 2 nga Azia, dhe 5 nga Afrika. 

Dy shtete, me 11 komuna. Prishtina, Gjilani, Mitrovica, Gjakova, Prizreni, Ferizaj, Peja, Drenasi, Skenderaj, Podujeva, dhe Durrësi, do të jenë qendrat, në të cilat do të zhvillohen 23 sportet e parapara në programin sportiv të Lojërave Mesdhetare.

Përmirësimi dhe ngritja e infrastrukturës sportive fizike, është në qendër të aplikimit dhe fitores së Republikës së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Numri total i objekteve sportive, të cilat përfshihen në konceptin fillestar të këtij projekti është 24.

Qasja, e cila është ndjekur për sa i përket infrastrukturës fizike, reflekton nevojat e komunitetit sportiv në vend, si dhe kapacitetet reale të vendit tonë për të menaxhuar dhe mirëmbajtur investimet edhe pas vitit 2030.

•       10 objekte sportive do të renovohen duke përfshirë edhe Pallatin e Rinisë dhe Sporteve; 

•       4 ndërtime të reja që përfshijnë: Stadiumin Nacional, Kompleksin e pishinave olimpike, Kompleksin e tenisit dhe Poligonin e Shenjtërisë.

•       5 investime infrastrukturore të përkohshme; dhe

•       5 projekte të tjera të cilat janë në ndërtim apo përfundim e sipër, në mesin e të cilave edhe  Stadiumi Adem Jashari në Mitrovicë dhe Stadiumi i Qytetit të Gjilanit.

Për detajet, planet dhe përgatitjet, në konferencë për media pas kësaj mbledhje të Qeverisë, do të ju flasë zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal. Pra, Daulina Osmani, që si sportiste nuk pati fatin të marrë pjesë në Lojëra Mesdhetare, por si një përfaqësuese politike e sportit në Qeverinë tonë, ka qenë në ballë të kandidaturës sonë të suksesshme edhe Elbert Krasniqi, për të cilin nuk jam në dijeni që ka pasur ndonjëherë ambicie në sport.

Investimet dhe mobilizimi, i cili i paraprinë këtij organizimi, shkojnë shumë përtej sportit dhe do të jenë platformë me ndikim zhvillimor multi-dimensional.

Organizimet e ngjarjeve të tilla, përveç që janë mundësi për të përmirësuar apo modernizuar infrastrukturën fizike publike, si dhe për të rritur vëmendjen shtetërore për avancimin e sportit, ato shërbejnë edhe si platformë për konsolidimin e imazhit tonë shtetëror në arenën ndërkombëtare, për zhvillim ekonomik përmes turizmit sportiv, por edhe krijimit të vendeve të reja të punës.

Ky është një moment i rëndësishëm për ne si shtet për të dëshmuar potencialin tonë për të bërë punë të mëdha.

Andaj, edhe një herë urime të gjithëve, e për punën që e kemi para, na priftë e mbara.

Ju falemnderit.

​Qeveria miraton tri nisma për lidhjen e marrëveshjes për ekstradim me Suedinë

Qeveria e Kosovës ka ndarë 4200 euro për transportimin e kufomës së shtetases argjentinase e cila javë më parë është vrarë në Fushë Kosovë.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorolli tha se kjo ndarje buxhetore po bëhet për shkak të pamundësisë së familjes së të ndjerës të transportojnë kufomën në Argjentinë.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria miratoi edhe tri nisma për lidhje të marrëveshjeve me Suedinë.

Ekzekutivi i dha dritë të gjelbër Ministrisë së Drejtësisë që të nisë diskutimet për marrëveshjen për ekstradim me Suedinë, për transferim të personave të dënuar mes dy vendeve dhe për ndihmën të ndërsjellë juridike për çështjet penale.

Kurti premton ndërtimin e stadiumit nacional

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në vazhdën e ndërtimit të infrastrukturës sportive për organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, është paraparë edhe ndërtimi i stadiumit nacional.

Kështu bëri të ditur Kurti në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës, duke e cilësuar organizimin e Lojërave Mesdhetare si ngjarjen më të madhe ndërkombëtare në historinë e vendit tonë.

“Me mobilizimin e të gjithë kabinetit qeveritar dhe në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës, i kemi sjellë Republikës së Kosovës mundësinë për organizimin e ngjarjes më të madhe ndërkombëtare në historinë e vendit tonë. Koncepti me të cilin e kemi shënuar këtë fitore është shumë i veçantë dhe në linjë me vizionin e qeverisë sonë për zhvillimin e sportit në vend. Në partneritet me Shqipërinë, po shënojmë edhe herën e parë që kjo ngjarje të organizohet në një shtet që nuk ka dalje në det”, tha Kurti.

Kurti shtoi se në programin për ndërtimin e infrastrukturës, janë të parapara të ndërtohen e rinovohen 24 objekte sportive, si stadiumi nacional, pishina olimpik, poligoni i shenjtërisë e të tjera.

“Përmirësimi dhe ngritja e infrastrukturës sportive fizike është në qendër të aplikimit dhe fitores së Republikës së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Numri total i objekteve sportive të cilat përfshihen në konceptin fillestar të këtij projekti është 24... Katër objekte sportive do të rinovohen, duke përfshirë edhe Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, katër ndërtime të reja që përfshijnë stadiumin nacional, kompleksin e pishinave olimpike, kompleksin e tenisit dhe poligonin e shenjtërisë... Pesë investime infrastrukturore të përkohshme dhe pesë projekte të tjera të cilat janë në ndërtim apo përfundim e sipër, në mesin e të cilave edhe stadiumi ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë dhe stadiumi i qytetit të Gjilanit”, tha ai.

Të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare Kosova e fitoi më 8 shtator në mbledhjen e zakonshme të Asamblesë së Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.

Kurti shfaqet në humor të mirë në mbledhjen e Qeverisë, shkakton të qeshura pasi ngacmon Elbert Krasniqin

Kryeministri Albin Kurti është shfaqur në humor të mirë në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, teksa ka folur për investimet infrastrukturore që do të bëhen për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Kurti ka shtuar se detaje për investimet që do të bëhen, do të flasin në konferencë për media, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani dhe ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Kur ka folur për zv.ministren Osmani, Kurti ka thënë se ajo ka qenë në ballë të betejës për sigurimin e kandidaturës, ndërkohë që ka përmendur edhe aktivitetin e saj si sportiste.

Tutje kryeministri Kurti teksa ka treguar se bashkë me Osmanin do të flasë në konferencë për media edhe ministri Elbert Krasniqi, këtë të fundit është kujdesur që ta ngacmoj, duke thënë se “s’është në dijeni që ministri Elbert Krasniqi ka pasur ndonjëherë ambicie sportive”.

“Pra Daulina Osmani që si sportiste s’pati fatin të marrë pjesë në lojëra Mesdhetare, por si përfaqësuese politike e sportit ka qenë në ballë të kandidaturës së suksesshme, dhe Elbert Krasniqi për të cilin nuk jam në dijeni që ka pasur ndonjëherë ambicie në sport”, ka thënë Kurti me shaka.

Qeveria ndan 500 mijë euro për familjet e prekura nga tërmeti në Turqi

Qeveria ka ndarë 500 mijë euro për familjet e ndikuara nga tërmeti në Turqi.

Kryeministri Albin Kurti tha se kështu po rikonfirmojnë “solidaritetin ndihmë dhe mbështetjen e parezervë”.

“Duke ndarë dhimbjen dhe pikëllimin me popullin turk dhe udhëheqjen e Republikës së Turqisë për mijëra jetët e humbura nga tërmeti shkatërrues në Turqi, rikonfirmojmë solidaritetin, ndihmën dhe mbështetjen tonë të parezervë, andaj propozohet ndarja e mjeteve buxhetore në shumë prej 500 mijë eurove për mbështetje financiare për familjet e ndikuara nga tërmeti në Turqi”, tha Kurti

Kurti premton infrastrukturë të re sportive për Lojërat Mesdhetare "Prishtina 2030"

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar infrastrukturë të re sportive për Lojërat Mesdhetare "Prishtina 2030".

Ai para mbledhjes së qeverisë të mërkurën, tha se organizimi i këtyre lojërave mesdhetare është historike për vendin.

"Përmirësimi dhe ngritja e infrastrukturës sportive do të jetë kyçe. Dhjetë objekte sportive do të rinovohem, katër ndërtime të reja sportive do të bëhen", tha ai.

Qeveria sot mban mbledhje

Kryeministri Albin Kurti i ka ftuar ministrat në një mbledhje të Qeverisë.

Mbledhja është caktuar të mbahet të orën 10:00.

Kështu ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Pikat e rendit të ditës së kësaj mbledhjeje nuk u bënë të ditura.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat