Në prag të takimit në Bruksel, zëdhënësja e PDK-së, Vlora Çitaku ka deklaruar se nuk do çuditej nëse Kryeministri Kurti heq dorë nga qëndrimet e tij të deritanishme për zgjedhjet në veri dhe themelimin e Asociacionit.
Sipas saj, tre vjet qeverisje të kryeministrit Kurti i ka karakterizuar mungesa e konsistencës.
“Mua nuk do të më befasonte aspak nëse Kryeministri Kurti tërhiqet nga të gjitha pozicionet që i ka mbajtur deri tani dhe pranon që të shkohet në zgjedhje shpejt në komunat veriore dhe të themelohet Asociacioni menjëherë. Në këto tre vite qeverisje, Kurti ka dëshmuar që gjëja e vetme konsistente tek ai është mungesa e konsistencës. Asnjëra prej planeve dhe programeve që i ka proklamuar nuk i ka zbatuar”, deklaroi Çitaku.
Madje, zëdhënësja e LDK-së hodhi dyshime se Kurti “e ka lexuar Kushtetutën pasi që është bë kryeministër”, nisur nga deklarata e tij për bashkim kombëtar.
“E kish pa lexuar Kushtetutën masi që është bo kryeministër se tha Kushtetuta nuk e lejonte bashkimin kombëtar. Pra mua nuk më befason nëse Kryeministri edhe zmbrapset dhe i pranon kushtet. Mirëpo, pavarësisht se çfarë do të ndodh nesër, dëmi Kosovës tashmë i është bërë, dhe ky dëm mund të thellohet edhe më tej. Po flas këtu për dëmin e madh që i ka shkaktuar kredibilitetit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”.
Ndër të tjera, Çitaku tha se s’sheh përfundim të mirë nga takimi në Bruksel.