Ka përfunduar bastisja e forcave të EULEX-it në shtëpinë e familjes së Behar Berishës.
Berisha ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe mik i Salih Mustafës, ish-eprorit të UÇK-së të dënuar në Gjykatën Speciale në Hagë.
Hetuesit e Prokurorisë së Specializuar janë parë duke u larguar nga shtëpia e ish-ushtarit të UÇK-së.
Ende nuk dihet qëllimi i realizimit të këtij kontrolli me urdhër të Prokurorisë së Specializuar.
Nga zyra për informimin të EULEX-it për median kanë thënë se nuk kanë mandat për të ndërmarr veprime të bastisjeve.
Por sipas tyre, mandati i EULEX-it është i kufizuar vetëm në ofrimin e mbështetjes logjistike dhe operacionale për autoritetet përkatëse gjyqësore dhe hetimore.
“Prej vitit 2018, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) nuk ka mandat për të ndërmarrë veprime që ndërlidhen me procedura gjyqësore si kryerjen e arrestimeve, bastisjeve, konfiskimeve, marrjes në pyetje apo të ndalimin e personave.
Në kuadër të kufizimeve të mandatit aktual të tij për mbështetjen e institucioneve të caktuara të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat evropiane më të mira, për sa i përket këtyre procedurave, mandati i EULEX-it është i kufizuar vetëm në ofrimin e mbështetjes logjistike dhe operacionale për autoritetet përkatëse gjyqësore dhe hetimore”, thuhet në përgjigjen nga zyra për informim të EULEX-it.
Ndërkaq, përmes fotografive që ka siguruar nga media shihen zyrtarë të Policisë së Kosovës para një shtëpie në lagjen “Kodra e Trimave”, në Prishtinë.
Policia e Kosovës jashtë këtij objekti ka vendosur edhe shiritin e sigurisë në dy anët e rrugës.